Maqedoni

Spitali modular në Strugë, akoma nuk është në përdorim

Edhe pse ka kohë që është gati për t’i pritur pacientët e parë, spitali modular në Strugë është ende jashtë përdorimit. Fillimisht u njoftua se do të vihej në përdorim deri në fund të janarit, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur, megjithëse kanë kaluar tre muaj. Drejtori Armend Arsllani, thotë se tani për tani nuk ka nevojë për këtë, sepse situata është e qëndrueshme.

Rastet pozitive me Covid në Struga aktualisht trajtohen në repartin intern, ku trajtohen edhe pacientë me sëmundje tjera, edhe pse bëhet fjalë për hapësira të ndara. Mjekët me të cilët u konsultuam thanë se nuk është aspak mirë që të kesh objekt të gatshëm dhe të ri e të mos e përdorësh. Përndryshe, Struga çdo ditë raporton numër më të vogël të rasteve pozitive. Mjekët amë thonë se arsyeja për këtë është mungesa e termineve të mjaftueshëm për testime.

Nuk ka terminë. Vështirë mund të gjenden. Ndonjëherë mund të ndodhë, dikush anulon termin dhe ta përdorim për ditën tjetër. Përndryshe, pas tre-katër ose pesë ditësh mund të marrim termin për testin PCR, që është gabim, sepse deri atëherë pacienti mund të jetë negativ – u shpreh Haxher Alied- mjeke amë.

Në spitalin e Strugës aktualisht trajtohen 25 pacientë, 17 prej të cilëve janë në oksigjeno-terapi Pacienti më i ri është 36 vjeç, dhe më i moshuari është 92 vjeç. Drejtori thotë se ata janë të gatshëm për skenarë të tjerë. 110 pacientë janë të shtruar në spitalin e përgjithshëm të Ohrit ku ka vetëm dhjetë shtretër të lirë.