Rajon - Botë

Spitali më i madh në Gaza jashtë funksionit për shkak të sulmeve izraelite

Në kryeqytetin e Arabisë Saudite është duke u mbajtur samiti urgjent i përbashkët i Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), ku është diskutuar për situatën emergjente të krijuar nga sulmet izraelite në Gaza.

Gjatë fjalimit në këtë samit, presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, i bëri thirrje SHBA-së që të bëjë presion ndaj Izraelit që të ndalojë sulmet e tij në Gaza. Ai tha se palestinezët po përballeshin me një “luftë gjenocidale të pakrahasueshme”.

Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe lirimin e robërve.

Presidenti turk Rexhep Taiip Erdoğan kritikoi vendet perëndimore për heshtje ndaj masakrës në Palestinë. “Është turp që vendet perëndimore, të cilat gjithnjë flasin të drejtat dhe liritë e njeriut, heshtin për masakrën në Palestinë. Kemi përballë një barbarizëm të paprecedentë në histori, ku spitalet, shkollat dhe kampet e refugjatëve po bombardohen dhe civilët po masakrohen”, theksoi Erdogan.

Emiri i Katarit, Tamim Al Thani, ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për heshtjen ndaj vuajtjeve të civilëve palestinezë, duke lejuar Izraelin të shkelë ligjin ndërkombëtar.

Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi tha se “politikat e ndëshkimit kolektiv” në Gaza ishin të papranueshme dhe “nuk mund të justifikohen me vetëmbrojtje apo ndonjë pretendim tjetër”.

Në anën tjetër, presioni ndaj Izraelit është duke u shtuar edhe nga kampi i liderëve evropianë. Presidenti francez Emmanuel Makron i kërkoi Izraelit të ndalojë “vrasjen e foshnjave dhe grave” në Gaza. “Është e rëndësishme për sigurinë e Izraelit të “pranojë se të gjitha jetët kanë rëndësi”, tha Makron.

Deputetja irlandeze në Parlamentit Evropian, Clare Daly, kritikoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për faktin se nuk ka bërë thirrje për armëpushim në Gaza. “Me armë evropiane dhe amerikane, dhe mbështetje evropiane dhe amerikane. Akoma Von der Leyen nuk mund të thotë as fjalën: ‘armëpushim’. Ky nuk është vetëm gjenocidi i Izraelit, por edhe i Evropës”, theksoi Daly.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit korrigjoi numrin e të vdekurve në sulmet e 7 tetorit. Në deklaratën izraelite thuhet se 1.200 njerëz në Izrael u vranë në sulmet e 7 tetorit, jo 1400, siç ishte lajmëruar më parë.