Maqedoni

Sot paska ndërruar jetë njeriu, të cilit i detyrohem për jetën time

Sapo mora lajmin e hidhur, se sot paska ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë, në moshë të mesme, bashkëvendasi dhe miku im, Isa Xhambazi.
Ai ishte një njeri i fjalës, bujar, trim dhe atdhedashës.
Si fëmijë shkonim të bënim not në lumin që buron nga malet mbi Tuhin dhe përmes Osllomesë kalon afër Cërvicës. Mua më mori vorbulla e lumit dhe ishte Isai ai, i cili kërceu pa një pa dy nga bregu, teksa të tjerët shikon të frikësuar, dhe ma shpëtoi jetën.
Mixha, i cili më kishte rritur jetim si fëmijën e tij të nëntë, ma la amanet që Isain ta respektoja deri në përjetësi dhe ashtu bëra. Rrallë më shihte, ngaqë isha larguar nga vendlindja ime, por kur takoheshim mezi çmalleshim.
Ai shkoi në amshim para kohe, por kujtimi për të do të mbesë i shenjtë tek unë.
U prehsh në paqe miku im i shtrenjtë!
Ngushëllime familjes!

Me nderime
Arbër Çeliku