May 15, 2024
Kolumna

Sot dështoi plani i “fallxhorëve” të gjirizeve e bunareve për ta bë Beogradin kryeqytet të shqiptarëve!

Shkruan: Xhelal Mustafa, Shkup

Nuk ka mallkim më të madh për marksistët, leninistët e komunistët, se sa të jenë të detyruar të punojnë për integrim të vendeve që i udhëheqin në struktura dhe organizata perëndimore, qofshin ato ekonomike, apo të sigurisë.
Ky mallkim si duket i ka kapur marksistët e komunistët shqiptarë në Tiranë e Shkup. Atyre ndoshta zemra u qan për Leninin e Stalinin, por për të ruajtur pushtetin te një popull properëndimor si shqiptarët, janë të detyruar ta aktrojnë “proevropianin” e “proamerikanin”.
Jam i bindur se perëndimi e njeh shumë mirë dashurinë e tyre ndaj komunizmit dhe pikërisht për këtë arsye i ka vendosur në sprovë- të bëjnë të kundërtën e asaj që ndiejnë thellë në zemër e madje edhe të jenë të detyruar të dalin të krenohen për një gjë të tillë. Siç bënë sot në Bruksel!
Është kjo një lloj hakmarrje ndaj atyre që ende kanë ngecur në kohën e sovjetizmit dhe përbuzin gjitha të mirat që u solli shqiptarëve perëndimi.

Perëndimi e din se si u bënë bashkë rreth puseve e gjirizeve si “fallxhorë” për të kërkuar ndihmën e forcave të errëta në krijimin e “Open Ballkanit” dhe në realizimin e ëndërrës që Beogradi të jetë kryeqytet i shqiptarëve. Por “falli” u dështoi. Ua prishi Brukseli si kullë prej letrave, duke bërë të pamundurën për të hequr veton bullgare. “Open Ballkanit” prej sot lirisht mund t’ia mbyllin dyert me shtatë dryna.
Sepse sot u verifikua që kryeqytet i shqiptarëve mbetet Brukseli e Uashingtoni, kurse dielli për shqiptarët vazhdon të lind në perëndim.
Kurse komunistëve të maskuar si properendimorë, nuk u mbetet gjë tjetër përpos të shpresojnë se Kina një ditë do t’a prodhojë jë diell artificial që do të lindë në Beograd, e do perëndojë në Moskë.
Deri atëherë mendoj se gjithnjë e më shpesh do t’i fotografojmë ulur rrugëve e shkallëve, duke pranuar lajme negative përmes celularit për dështimin e bizneseve më incineratorët.
O Zot, sa fotografi të bukura “të ditës” që do të jenë ato!

Sqarim: Bunar-Pus