September 7, 2024
Rajon - Botë

Sot nis Haxhi, një nga pesë shtyllat e Islamit

Haxhi i këtij viti, një nga pesë shtyllat e Islamit, fillon sot kur pritet të marrin pjesë më shumë se dy milionë myslimanë nga e gjithë bota.

Ky do të jetë pelegrinazhi më i madh që kur pandemia e koronavirusit detyroi autoritetet saudite të reduktojnë në mënyrë dramatike këtë rit madhështor, tubimi më i madh njerëzor në botë në ardhurimin e Zotit, Krijuesit të Gjithsësisë, jetës dhe çdo krijese.

Më shumë se 926,000 njerëz morën pjesë në 2022, krahasuar me vetëm 59,000 një vit më parë, tregojnë të dhënat zyrtare.

Në vitin 2019, Haxhi mblodhi rreth 2.5 milionë haxhinj.

Pas heqjes së plotë të kufizimeve në lidhje me COVID-19 dhe kufirit të moshës, Mbretëria e Arabisë Saudite pret të kthehet në nivelet para pandemisë, që nënkupton ardhjen e më shumë se dy milionë njerëzve.

Të gjithë muslimanët duhet të kryejnë Haxhin në Mekë të paktën një herë në jetën e tyre nëse kanë mundësi për ta bërë këtë dhe nëse janë të shëndetshëm.

Besimtarët mblidhen në qytetin e shenjtë për disa ditë rituale në të cilat ata ndjekin rrugën e pelegrinazhit të fundit të Profetit Muhamed.

Këtu është një pasqyrë e ritualeve në një nga tubimet më të mëdha fetare në botë:

Rroba të bardha (ihrame)

Haxhinjtë duhet së pari të hyjnë në një gjendje pastërtie, të quajtur ihram, e cila kërkon veshje dhe sjellje të veçantë.

Burrat veshin veshje të bardha, të ngjashme me pëlhurën, që theksojnë unitetin midis adhuruesve, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror ose kombësia.

Femrat duhet të veshin fustane të lirshme, gjithashtu të bardha, duke zbuluar vetëm fytyrën dhe krahët.

Pelegrinëve nuk u lejohet të konfliktuohen u ndalohet të mbajnë parfum, të presin thonjtë ose të presin flokët ose mjekrën sa janë nën ihram.

Ritet

Riti i parë kërkon të qarkosh shtatë herë rreth Qabes, strukturës së madhe në formë kubi në Mekë.

Muslimanët, pavarësisht se ku janë në botë, duhet të drejtohen nga Qabja kur falen. Ajo është ndërtuar fillimisht nga Ademi, njeriu i parë, dhe më pas është rindërtuar nga Ibrahimi 4000 vjet më pare, babai i monoteizmit.

Pelegrinët më pas ecin shtatë herë vajtje-ardhje midis Safas dhe Mervas, dy vende të gurta brenda kompleksit, duke bërë rrugëtimin e Haxheres, bashkëshortes së Ibrahimit, në kërkim të ujit për të birin, Ismailit. Prej saj rrjedh i vetmi ujë i bekuar në botë, Zam Zam.

Më pas nisen drejt Minas, rreth pesë kilometra larg, përpara ceremonisë kryesore të pelegrinazhit në malin Arafat.

Mali Arafat

Pika kryesore e Haxhit është mbledhja në malin Arafat, rreth 10 kilometra nga Mina, ku profeti Muhamed ka mbajtur predikimin e tij të fundit.

Pas perëndimit të diellit, ata shkojnë në Muzdelife, në gjysmë të rrugës midis Arafatit dhe Minas, ku secili Haxhi mbledh disa dhjetëra guralecë për të kryer simbolikisht “gjuajtjen me gurë të djallit”.

Riti është një imitim i vrasjes së djallit me gurë nga Ibrahimi në tre vende ku Iblisi(shejtani) thuhet se u përpoq ta largonte atë nga bindja e urdhrit të Zotit për të sakrifikuar djalin e tij Ismaelin.

Pas goditjes së parë me gurë, fillon Kurban Bajrami, duke shënuar përfundimin e Haxhit.

Bagëti të ndryshme bëhen kurbanë sipas kritereve të përcaktuara, si simbol i faktit që Zoti zbriti një qengj për t’u flijuar në vend të Ismailit, në një ceremoni të mbajtur në të njëjtën kohë në të gjithë botën.

Haxhi është shtylla e fundit e Islamit, pas dëshmisë së besimit(Shehadetit) se “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet Allahut e se Muhamedi është njeri dhe i Dërguari i Tij”; Namazi(lutja rituale 5 herë në ditë); agjërimi i Ramazanit dhe zekati(dhënia e një përqindjeje nga pasuria për nevoja gjithëshoqërore). /tesheshi.com/