Sot hyrja falas në muzetë e Maqedonisë së Veriut
“Muzetë për edukim dhe hulumtim” është motoja me të cilën sot do të shënohet 18 maji – Dita Ndërkombëtare e muzeve, datë të cilën institucionet e muzeve në mbarë botën e shënojnë me aktivitete të ndryshme që nga viti 1977.
Në këtë ditë, siç njofton Ministria e Kulturës, muzetë në vend tradicionalisht ofrojnë hyrje falas për vizitorët të cilët mund të shohin ekspozitat aktuale dhe të njihen me pasurinë kulturore lëvizëse.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve festohet tradicionalisht çdo vit më 18 maj për të promovuar rëndësinë e institucioneve të muzeve në shoqërinë moderne. Dita kushtuar muzeve është vendosur nga Këshilli ndërkombëtar i muzeve – ICOM me seli në Paris.