Sot bëhen 12 vjet nga rasti “Monstra” në liqenin e Smillkovës, Ajdari nuk arriti ta shohë drejtësinë në Strasburg
Sot bëhen 12 vjet nga vrasja e katër të rinjve dhe një peshkatari në Liqenin e Smillkovës, e cila është një prej ngjarjeve më të tmerrshme që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Për shkak dyshimeve dhe akuzave për montim, lënda u rikthye në gjykim, por pas përfundimit të gjykimit të dytë dhe ankesës së mbrojtjes, Gjykata Supreme i hodhi poshtë ankesat e të dënuarve në rastin “Monstra” dhe la në fuqi aktvendimin e Apelit, njofton Portalb.mk.
Ekipi i avokatëve të të dënuarve në rastin “Monstra”, është duke i përgatitur ankesat për në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Ankesa pasoi pas vendimit të Gjykatës Supreme në shtator të vitit 2023 sipas të cilit u konfirmuan dënimet e shkallës së parë dhe të dytë për pesë të akuzuar. Sipas vendimit tre persona u dënuan me burgim të përjetshëm, një me 15 vjet burg dhe një me 9 vjet burg.
Avokatët e të dënuarve në rastin “Monstra”, janë në procedurë të përgatitjes së ankesave në Gjykatën e Strasburgut pas shpalljes së aktgjykimit në shtator të vitit të kaluar.
“Ende nuk janë gati, janë duke i përgatitur avokatët”, tha për Portalb.mk shkurt familjari tashmë i ndjerë i të dënuarve në rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, i cili nuk e arriti përvjetorin e kësaj ngjarjeje dhe as se çfarë do të pasojë në Gjykatën e Strasburgut, rast për të cilin ai luftoi për 12 vjet me radhë, me qëllim që drejtësia të vendoset në vendin e duhur.
“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirë, sonte në këto natë të mëdha të Ramazanit, axha jonë Bedria ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të Gjithësisë”, njoftuan familjarët më 4 prill, duke përkujtuar kontributin që ai ka dhënë për të burgosurit e pafajshëm.
Ndërkohë, për dallim prej gjykimit të parë, në gjykimin e dytë, i dënuari me burgim të përjetshëm Sami Luta, u lirua nga akuza, në mungesë të provave. Dy të arratisurit në Kosovë, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, por edhe Agim Ismailloviq në të dy gjykimet u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërkaq Fejzi Aziri dhe Haki Aziri, të cilët gjatë gjykimit të parë u dënuan me burgim të përjetshëm, në gjykimin e dytë ata u dënuan me 15 dhe 9 vjet.
Të akuzuarit dhe familjarët e tyre, në vazhdimësi kanë mohuar aktgjykimin, duke theksuar se të dënuarit nuk janë fajtorë, për çka u mbajtën edhe disa protesta.
Portalb.mk ka përgatitur një dosje me të gjitha të dhënat për rastin dhe gjykimin të radhitura sipas kronologjisë.
12 prill 2012 (e enjte) – 4 djelmosha të rinj (18 deri 21 vjeç) dhe një peshkatar 46 vjeçar u vranë në mënyrë misterioze në Liqenin e Smillkovës.
1 maj 2012 – Në një aksion policor u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra. Ekipi i ministres së atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, bashkë me zëvendësin e saj, Xhelal Bajrami, ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe eprorë tjerë të Policisë, në një konferencë për shtyp deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.
Jankulloska shkeli prezumimin e pafajësisë duke e vendosur veten në vend të Gjykatës dhe pa verdiktin e gjykatës, ajo tha se personat e njëjtë janë të rrezikshëm për religjionin e krishterë, përcjellë Portalb.mk.
8 maj 2012 – Haki Aziri u mor si dëshmitar i fshehur, por pasi që i njëjti hoqi dorë nga ky status, i njëjti u akuzua për të njëjtën vepër – terrorizëm.
Haziri gjatë deklarate më 10 janar të vitit 2013 ka thënë se nga 1 deri 7 maji i vitit 2012, kur askush nuk dinte për fatin e tij, policia e ka mbajtur atë në qytetin e Koçanit, duke i ka thënë se do ta lirojnë për dy ose tre ditë. Haziri tha se inspektorët e kanë kërcënuar me vdekje nëse nuk pranonte që Alil Demiri ka kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.
“Kur më arrestuan, inspektorët më kërcënuan se do të më dënojnë me 20 vjet burg ose nuk do të lëshojmë më të gjallë, nëse nuk pranoja se Alil Demiri ka kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Deklaratën që kam dhënë në hetuesi, nuk e kam dhënë me dëshirën time”, ka thënë Haki Aziri. Ai ka shtuar se ka presione të shumta dhe paralajmëroi se mund t’i ndodhin edhe gjëra të padëshiruara, gjatë mbajtjes në burg,
Shtator 2012 – Prokuroria propozon dëshmitar të ri të mbrojtur me emrin e Koduar “E1”.
Dhjetor 2012 – Filloi procesi gjyqësor për rastin “Monstra”, të cilin e udhëhoqi gjykatësi Ivica Stefanovski. Dëshmia e vetme në bazë të së cilës akuzoheshin personat për terrorizëm ishte deklarata e dëshmitari të fshehur “E1”. Si prova tjera materiale në atë kohë Prokuroria i kishte cilësuar disa biseda telefonike mes të akuzuarve, Kuranin dhe disa libra fetarë të gjetur në shtëpitë e të akuzuarve, por edhe këngën “Për ty Gostivar” të kënduar nga Gold AG, që është gjetur në kompjuterin e njërit prej të akuzuarve. Provë tjetër kontestuese ishte edhe vetura “Opel Omega”, me të cilën Prokuroria kishte deklaruar se të akuzuarit kanë lëvizur me të njëjtën veturë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes. Ky automjet asnjëherë nuk u lejua që të shikohet nga afër, por vetëm nëpërmjet fotografive.
3 mars 2013 – Dy të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq të cilët janë arratisur nga Maqedonia janë kapur në Kosovë.
12 korrik 2013 – Gjykata në Prishtinë i dënoi Alil Demirin dhe Afrim ismailloviqin me dy vjet dhe dy vjet e gjysmë burg për posedim ilegal të armëve.
30 qershor 2014 – Alil Demiri (në mungesë), Afrim Ismailoviq (në mungesë), Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta u dënuan me burgim të përjetshëm për terrorizëm. Për shkak mungesës së provave, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm. Demiri dhe Ismailoviq vazhdojnë të jenë në arrati në Kosovë. Autoritetet e Kosovës nuk i kanë ekstraduar në Maqedoni.
Korrik 2014 – Protesta masive në Shkup, qytete të Maqedonisë dhe diasporë kundër vendimit të Gjykatës Penale në Shkup për dënimin me burg të përjetshëm. Në protesta ka pasur përplasje mes forcave policore dhe protestuesve. Policia përdori dhunë ndaj qytetarëve të cilët kishin dalë për të kërkuar drejtësi. E njëjta hodhi bomba gazi lotsjellës, por ishte dhe e pajisur me topa uji. Policia asokohe formoi kordon policor te Q.T. Mavrovasja dhe nuk i lejoi protestuesit që të marshojnë deri përpara Qeverisë. Sipas informimit zyrtar të policisë, gjatë protestës janë lënduar 12 policë dhe është shkaktuar dëm material. Njëkohësisht sipas dëshmive me foto dhe video, ka pasur të lënduar edhe protestues.
30 korrik 2014 – 6 protestues u dënuan me nga 3 vjet burg për “pjesëmarrje në turmë”, pasi që kanë marrë pjesë në protestat për rastin “Monstra”.
9 shkurt 2015 – Lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, ka filluar me publikimin e “bombave”. Prej kësaj date lindi shpresa se ndoshta në ato materialet që Zaev publikonte krimin e pushtetit të Gruevskit ndodhet e vërteta për “Monstrën”. Vetë lideri i LSDM-së, ka thënë se ka materiale të përgjuara, por që të njëjtat nuk u publikua
15 shtator 2015 – Në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinës, u formua Prokuroria Speciale e cila do t’i hetonte materialet e përgjuara apo “bombat” e Zaevit. E njëjta i mori të gjitha bisedat telefonike nga lideri i LSDM-së. Tani shpresa për zbardhjen e “bombave” eventuale u transferua te Prokuroria Speciale, prej së cilës edhe familjarët e të vrarëve, por edhe atyre të dënuarve vazhdimisht kanë kërkuar që e njëjta të tregojë nëse ka materiale të përgjuara dhe ta marrë rastin nën kompetenca. Prokuroria Speciale, arsyetohej se nuk mundet që ta marrë rastin në kompetenca pasi që duhet që të votohet ligji për dëshmitarët e mbrojtur.
10 shkurt 2016 – Gjykata e krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu dy të akuzuarit kryesorë në rastin “Monstra”, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, që të dy nga Shkupi. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët tashmë në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë.
3 tetor 2017 – Prokurorja publike Liljana Spasovska në seancën publike të Gjykatës Supreme, në të cilën u shqyrtuan ankesat për burgimet e përjetshme në rastin “Monstra”, të cilën të gjykuarve ua shqiptoi Gjykata Penale, ndërsa i konfirmoi edhe Gjykata e Apelit kërkoi pezullim të aktvendimit të shkallës së parë dhe të dytë dhe kthimin e lëndës në rigjykim.
1 dhjetor 2017 – Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë e ka miratuar vendimin në lëndën e rastit “Monstra”, me të cilën ankesat e palës mbrojtëse pranohen, aktvendimet e shkallës së parë dhe të dytës shfuqizohen, ndërkaq lënda kthehet në rigjykim të shkallës së parë.
Njëkohësisht, pas më shumë se 5 viteve burg, u liruan të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri janë liruar nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.
Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri përkohësisht është liruar nga burgu (për shkaqe shëndetësore) pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.Në arrati vazhdojnë të jenë edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë.
21 mars 2018 – Prokuroria Speciale e mori nën kompetencë rastin, ndërkaq prokurorë të lëndës u caktuan Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.
16 maj 2018 – Gjykatës të lëndës u caktuan Ognen Stavrev dhe zëvendës i tij, Osman Shabani.
Më 17 shtator 2019 – Lënda u rikthye në Prokurorinë e rregullt pasi Prokuroria u shua, por prokurorët mbetën të njëjtë.
Të gjitha seancat gjyqësore të rigjykimit:
- Seanca 1: Agim Ismailoviq tregoi vendin ku gjendet vëllai i arratisur, Fejzi Aziri akuzoi policinë për montim
- Seanca 2: Haki Aziri: Lupço Todorovski më detyroi ta nënshkruajë dëshminë e pavërtetë për “Monstrën”
- Seanca 3: Detaje nga dëshmitë: Natën e kobshme, 3 peshkatarë u panë me një person me pushkë automatike
- Seanca 4: Dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim
- Seanca 5: Dëshmitari koduar “E1” i ka dhënë shkrepës për cigare Sami Lutës
- Seanca 6: Avokatët thonë se “E1” gënjen, familjarët e të vrarëve të kënaqur nga deklarata
- Seanca 7: Natën e vrasjes dëshmitari “E1” ka qenë në Liqenin e Smillkovës
- Seanca 8: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit “Monstra”
- Seanca 9: Ekspertët mostrat nga dheu dhe gëzhojat nuk i kanë marrë nga terreni, por ua kanë dhënë në laboratori
- Seanca 10: Në Opel Omega ka pasur 4-5 persona, por MPB ka gjetur gjurmë biologjike vetëm nga Alil Demiri
- Seanca 11: “Opel Omega” i ka pasur targat e një “Mercedesi”, MPB ka kontrolluar edhe 4 vetura tjera
- Seanca 12: MPB tregoi se ka internet komunikime mes të akuzuarve, mbrojtja tha se janë biseda të përditshme
- Seanca 13: Viktimat janë vrarë në largësi prej 1.5 metra, katër prej tyre prej pas shpine
- Seanca 14: Aziri tre orë i pyeti dhe i kontestoi përgjigjet e ekspertëve të Policisë dhe Mjekësisë Ligjore
- Seanca 15: Palëve u janë dhënë përgjime private të cilat më herët i ka “fshehur” Prokuroria
- Seanca 16: Përgjimet e MPB-së i dëgjuan OSBE dhe Koalicioni për Gjykim të drejtë, por jo edhe gazetarët
- Seanca 17: Seanca për rastin “Monstra”, me dyer të mbyllura
- Seanca 18: Raufi: 10 ditë para vrasjes, MPB i ka dorëzuar Gjykatës mbi 870 transkripta nga materialet e përgjuara
- Seanca 19: Vazhdoi me dyer të mbyllura, Raufi: I presim “bombat” e Prokurorisë Speciale
- Seanca 20: Seancë e mbyllur për rastin “Monstra”
- Seanca 21: Seancë e mbyllur për rastin “Monstra”
- Seanca 22: Dëshmitari Jonçe Ivanovski: Besoj që Fejzi Aziri është i pafajshëm dhe dëshmitari përgënjeshtroi “E1-in”: Luta flokët i ka pasur të shkurtra, s’ka pasur njollë në fytyrë
- Seanca 23: Berberi demantoi dëshmitarin “E1”: Agim Ismailloviqi asnjëherë s’ka pasur mjekër të gjatë, apo si cjapi dhe Bujku demantoi “E1-in”: Asnjë nga të akuzuarit “Monstra” s’e kam parë në Liqenin e Smillkovës
- Seanca 24: Tre dëshmitarë sot u deklaruan për rastin “Monstra”
- Seanca 25: Familjarët e të vrarëve në Smillkovë: Pesë funksionarë të BDI-së janë përgjuar për rastin “Monstra”
- Seanca 26: Gjykatësi ka urdhëruar ekspertizë për 31 telefona, “bombat” do të nxirren në gusht
- Seanca 27: Më 5 shtator do të dëgjohen “bombat” për “Monstrën”, Aziri: Me kanë kërcënuar me jetë
- Seanca 28: Përpara se t’i dëgjojë opinioni, “bombat” do të pastrohen nga bisedat private
- Seanca 29: “Bombat” për “Monstrën”: Bexheti ka refuzuar të nënshkruajë ekstradimin, dëgjohen fallxhorja dhe nëna e Gruevskit
- Seanca 30: Prapa vrasjes qëndron një ish-polic dhe komandant i kufirit në Bllacë
- Seanca 31: Xhelal Bajrami i ka shkruar sms Ali Ahmetit: Qartë shihet se vrasjen e kanë kryer persona profesionistë
- Seanca 32: Ahmeti është interesuar për Azirin, derisa është përgatitur për dëshmitar të fshehtë
- Seanca 33: I dënuari në rastin “Kumanova”, ka komunikuar me prokuroren Fetai për rastin “Monstra”
- Seanca 34: Dorëheqja e anëtares së porotës nuk e bllokoi “Monstrën”, formalisht filloi nga e para dhe Zaev, Todorovski dhe Kostovski, do të ftohen për të dëshmuar në “Monstra”
- Seanca 35: Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev Zaev dëshmoi në gjykatë: Nuk posedoj as kam parë dëshmi për përfshirjen e Veljanoskit në rastin “Monstra”
- Seanca 36: Jankulloska ka kalkuluar me Bexhetin, ekstradim dhe gjykim të mos ketë para zgjedhjeve dhe Radnik: Asnjëherë nuk kam dhënë udhëzim që dikush të (mos) jetë dëshmitar i mbrojtjes
- Fomedhe Osmani: U takova me familjarët e Azirit që t’u tregoj se as unë s’e di ku ndodhet dhe Xhelal Bajrami: Jankulloska e mori rolin e prokurorit, foli për gjëra që s’jemi marrë vesh
- Seanca 38: Mijallkov dëshmoi për rastin “Monstra”, shumë biseda “nuk iu kujtuan” dhe Aleksoski: Telefonin e kam në shtëpi, nuk është e saktë që është gjetur në Liqenin e Smilkovës
- Seanca 39: Bexheti dëshmoi për “Monstrën”: Nuk kemi pasur pikëpamje të njëjta për rastin me Jankulloskën dhe Ka gjasa të mëdha të kem biseduar me atë, u përgjigj Xhaferi në lidhje me bisedën me Mijallkovin për rastin “Monstra” dhe “Monstra”, i punësuari në MPB, Trajkovski: Kam pasur informata se gjatë festës së Pashkëve do të pësojnë njerëz të pafajshëm
- Seanca 40: Një peshkatar dha dëshmi për rastin “Monstra”: Pamë një trup dhe u lajmëruam në 192
- Seanca 41: Në kërkim të personit që e bëri lidhjen e automjetit “Opel Omega” me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë
- Seanca 42: Automjeti kontestues ”Opel Omega” në rastin “Monstra” është gjetur i pastruar dhe Raufi: Po të ishte përdorur “Omega” në vrasjen e Smillkovës, autorët do ta digjnin
- Seanca 43: Eprori i Policisë ka dhënë urdhër të inspektohet “Opel Omega”, pa pasur njohuri se ka lidhje me vrasjen dhe Aziri e demantoi inspektorin e Policisë që mohonte dhunën ndaj familjarëve gjatë bastisjes
- Seanca 44: Inspektorët e policisë nuk dinë të tregojnë se kush e ka paraqitur i pari “Opel Omegën”
- Seanca 45: Dëshmitari: Ditën e vrasjes isha në Smillkovë me të dashurën, Alfat na legjitimuan dhe thanë të qëndrojmë në veturë deri në ora 23:30
- Seanca 46: Mbrojtja paralajmëroi padi ndaj ekspertes Nikollovska për falsifikim të ekspertizës së tokës nga Liqeni i Smillkovës dhe Vrazhivirit ku u gjet “Opel Omega”
- Seanca 47: Tensione mes Fetait dhe Raufit në seancën e “Monstrës”, mbrojtja vlerëson se ekspertët e MPB-së e kanë falsifikuar analizën e dheut
- Seancë joformale 48: “Monstra”, Raufi u largua nga salla, Ismailloviq dhe Aziri i mohuan pretendimet e prokurores Fetai që propozoi të paraburgosen, Gjykata e pranoi propozimin e Fetait, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri në paraburgim
- Seanca 49: Gjykata Penale i dënoi avokatët e “Monstrës”, nuk do të fillojë gjykimi nga e para
- Seanca 50: “Dëshmoi i punësuari në Krim-Teknikë Islam Zekiri, mbrojtja thotë se në emër të tij e kanë montuar një gëzhojë
- Seanca 51: “Monstra”, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për 3 persona, Fetai: I kanë kryer vrasjet që ta destabilizojnë shtetin
- Seanca 52: Të akuzuarit për “Monstrën” u deklaruan të pafajshëm, avokatët kritikuan Prokurorinë: Nuk i gjetët vrasësit e vërtetë
23 shkurt 2021 – Gjykata shpalli aktgjykimin për rigjykimin e rastit “Monstra”. Ashtu siç propozoi Prokuroria, Gjykata i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin, të premten mbahen protesta në Shkup.
26 shkurt 2021 – U mbajt protestë e tensionuar në Shkup, mes protestuesve dhe forcave policore.
19 mars 2021 – Disa të arrestuar dhe dënuar prej 8 muaj deri 1 vjet për dhunë në protestën e 26 shkurtit.
2 prill 2021 – Protestë për “Monstrën” dhe rastet tjera të cilat dyshohet se janë të montuara. Protestuesit kërkuan “drejtësi evropiane” dhe i bënë thirrje Qeverisë që të krijojë komision qeveritar i cili do të merrej me “rastet e montuara”.
23 prill 2021 – Gjykata e Kosovës për të disatë herë refuzoi kërkesën për ekstradimin e Afrim Ismailoviqit, njërit nga të dënuarit për rastin “Monstra”, ashtu siç i ka refuzuar kërkesat për ekstradimin e Alil Demirit.
16 dhjetor 2021 – Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i partisë Alternative bënë marrëveshje për koalicion qeveritar. Në mesin e pikave të marrëveshjes ishte edhe hetimi ndërkombëtar i rastit “Monstra” dhe disa rasteve tjera. Hetimi ndërkombëtar vazhdimisht është premtuar nga politikanët, por asnjëherë nuk është realizuar.
6 shtator 2022 – Gjykata e Apelit në Shkup konfirmoi se vendimi për rastin “Monstra” është shpallur dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.
Në ndërkohë rasti pritet të trajtohet në Gjykatën Supreme. Supremja ka të drejtë ta rikthejë në rigjykim ose t’i miratojë vendimet e shkallës së parë dhe të dytë, me çka do të nënkuptonte që të dënuarit do të duhet ta kërkojnë drejtësinë në Strasburg.