July 27, 2024
Maqedoni

Snopçe: Mbrëmë u dëshmua se në Maqedoni mafia ka shtet

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, sot në konferencë për shtyp, tha se “mbrëmë është dëshmuar se në Maqedoninë e Veriut, mafia ka shtet”.

Ai tha se Qeveria aktuale ka 59 deputetë, ndërsa i akuzoi se sillen me arrogancë ndaj qytearëve dhe sipas tij, shpëtimin e kërkon me shantazhe, kërcënime, blerje apo kidnapim të deputetëve.

“Një regjim hibrid që thirret në emër të vlerave evropiane, ndërsa gjithë mandatin dhe fundin e tij e karakterizojnë veprime dhe skandale në kundërshtim me këto vlera. Mbrëmë nuk dështoi shumica e re, aq më pak opozita. Mbrëmë u ndez alarmi për të gjithë qytetarët dhe faktorin ndërkombëtarë. Mbrëmë u dëshmuan të gjitha vlerësimet e organizmave ndërkombëtare për Maqedoninë e Veriut dhe u konfirmuan të gjitha paralajmërimet tona. Kur një të zgjedhuri të popullit i pamundësohet shkuarja në punë, atëherë çka mund të ndodhë me qytetarin e rëndomtë”.

“Mbrëmë Aleanca për Shqiptarët nuk dështoi, por vetëm u konfirmua në anën e së drejtës, në anën e popullit që kërkon ndryshim, ndërsa vetëm dolën fytyrat e vërteta të atyre që luftojnë ndryshimin dhe mbrojnë regjimin me çdo kusht. Lufta vazhdon, edhe më fuqishëm, edhe më pastër, edhe më të vendosur, edhe atë menjëherë”, tha Halil Snopçe.