Maqedoni

Sllovenia mbështet fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Sllovenia mbështet fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shkup

Sllovenia mbështet fuqimisht procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe fillimin e negociatave për anëtarësim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, Sekretari i Shtetit Gašper Dovžan ripohoi mbështetjen e fuqishme të Sllovenisë për procesin e zgjerimit të BE-së dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në një postim në Twitter të Ministrisë së Jashtme sllovene.

Gjithashtu, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, gjatë vizitës së sotme në Serbi tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mund të ruhen vetëm me hyrjen relativisht të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE.

“Disa çështje të ndjeshme dypalëshe midis vendeve në rajon do të zgjidheshin më lehtë ose do të bëheshin të parëndësishme nëse të gjitha vendet hynë në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Pahor në Beograd.

Sllovenia do të mbajë presidencën e BE-së nga 1 korriku i këtij viti.

Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar, Këshilli i BE-së unanimisht dha dritën jeshile për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe më 17 nëntor Bullgaria vuri veton për kornizën negociuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-së.

Në atë kohë, kryediplomatja bullgare Ekaterina Zaharieva, duke njoftuar vendimin e vetos, tha se “një shtet i bazuar në një ideologji armiqësie ndaj Bullgarisë nuk ka vend në BE”.