Skendë Hyseni vlerëson se nëse nuk formohet “Zajednica” bëhet katastrofë për Kosovën!
Hyseni: Kurti do ta themelojë Asociacionin, ikja nga ky obligim është katastrofë për Kosovën
Anëtari i LDK-së, Skender Hyseni, ka thënë se argumentet dhe kushtet që sot kryeministri Albin Kurti, i tha në kuvend, sipas tij, janë qesharake.
Hyseni tha se Kurti po mashtron opinionin në vend kur thotë që Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Kjo është gënjeshtër. Ai po ashtu manipulon kur thotë “asociacioni është një-etnik, sepse nuk është. Me vet faktin që thuhet “komunat me shumicë serbe” do të thotë që ne ato komuna ka edhe pjesëtarë të etnive tjera. Sipas logjikës së Kurtit edhe Kosova është monoetnike sepse është 92% shqiptare. Por ja që edhe Kosova është multietnike sepse ka një 8% të etnive tjera”, ka shkruar Hyseni, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ish ministri i Brendshëm tha se Kurti e Osmani demonstruan pazotësi akute për të lexuar dhe kuptuar qartë porositë e mbështetësve kryesorë të Kosovës në botë.
“Kjo u pa sidomos me veprimet dhe kryeneqësinë në veri të vendit. Ata, pra Kurti dhe Osmani, pa vision, pa guxim dhe pa dije kthyen Kosovën pothuaj në pikën zero”, tha ai.
Më tej, Hyseni tha se Kurti do ta themelojë Asociacionin, pasi sipas tij, ikja nga ky obligim, sipas tij, është katastrofal për Kosovën.
“Kushtet që ai deklaroi sot, kanë qenë aty edhe pa Kurtin. Por, ai po vazhdon si duket të mendojë që e gjithë bota i beson gënjeshtrat e tij, ashtu siç bëjnë këta të VV-së, të cilëve duket sikur ua ka shpërlarë trurin. Si duket Kurti, në universin e tij paralel, mendoka se askush në Kosovë dhe në bashkësinë ndërkombëtare nuk ditka të lexojë. Prandaj mashtron dhe gënjen paturpsisht dhe me aq lehtësi”, tha Hyseni, përcjell Klankosova.tv.