Maqedoni

Skandal: Ministri maqedonas kërkon amnisti për vrasësin e fëmiut shqiptar në Kumanovë

Një tjetër skandal po merr formë ditëve tē fundit e që ka të bëjë me faljen e dënimeve me burg nga ana e Presidentit me kërkesë të Qeverisë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Dje në media qarkulloi lajmi dhe dokumenti ku vërehej se Ministria e Drejtësisë kërkonte faljen e pjesë së ngelur të dënimit me burg të Sead Koçanit, biznesmen i afërt me ish qeverinë e Gruevski-Ahmeti dhe bashkëpunëtor i Mijallkovit. Ky lajm bëri bujë dhe u përcoll me reagime të shumta nga qytetarë, por edhe nga partitë politike opozitare, përcjell in7

Por një tjetër skandal po del në shesh. Kjo qeveri LSDM-BDI po kërkon t’i falet burgu edhe Boban Iliqit nga Kumanova, personi i cili njihet si vrasësi i Almir Aliut, vogëlushit kumanovar. Në dokumentin e siguruar nga in7, kërkohet që Boban Iliqit t’i falen muajt e fundit të dënimit prej 4 viteve. Rikujtojmë se Boban Iliqit fillimisht iu rikualifikua lënda, nga vrasje në vepër penale të rëndë kundër sigurisë së personave dhe pronës në komunikacion. Kjo shkaktoi atëkohë reagime të mëdha dhe protesta, duke e cilësuar këtë vendim si vrasje të dytë të Almirit. Pas kësaj pasoi dënimi prej 6 viteve e më pas shkurtimi i dënimit nga Gjykata e Apelit në 4 vite burg.

Me dënim me burg u dënua edhe babai i Almirit të vogël, ndërsa për të as qeveria e as organet e drejtësisë nuk ishin aq shumë të shqetësuar sa për vrasësin Iliq, i cili njihet edhe si i afërt me partinë në pushtet./in7.tv/