May 19, 2024
BallinaMaqedoni

Situata me “Pertusis” në Kumanovë, vazhdojnë thirrjet për vaksinim

Në rajonin Veri-lindor, respektivisht, komunat e Kumanovës, Likovës, Kriva Pallankës, Kratovës, Rankovcit e Nagoricit të Vjetër, gjendja me të prekurit nga “Pertusis”, apo “Kollën e mirë” vazhdon të jetë shqetësuese.

Si pasojë e numrit në rritje, nga ana e ISHP “Shtëpisë së Shëndetit” në Kumanovë po vazhdojnë pa ndërprerë thirrjet për imunizim masiv me qëllim parandalimin e kësaj sëmundje.

Nga ISHP “Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë, për shkak të disa rasteve që po refuzojnë të sjellin fëmijët e tyre për ti vaksinuar në lokalet e Shtëpisë së Shëndetit, ky institucion në bashkëpunim me “OBSH”, përmes fushatës “Sprint”, ka nxjerr ekipe mobile të cilët po kryejnë vaksinimin edhe në teren në vendbanime të ndryshme të rajonit të Kumanovës.

“Si Shtëpi e Shëndetit kemi qenë të përgatitur sa i përket imunizimit masiv të fëmijëve, por për shkak të hezitimit të prindërve të cilët nuk i kanë sjellur fëmijët e tyre të vaksinohen, ne si Shtëpi e Shëndetit përveç se në lokalet tona ku kryejm vaksinimin, kemi realizuar edhe fushatën e vaksinimit në terren në kuadër të kampanjës “Sprint” e cila është e mbështetur nga “Unioni Europian” dhe “OBSH”, me qëllim imunizimin sa më masiv. Numri i të prekurve në rajonin e Kumanovës arrin diku reth 80 raste, kurse kemi vaksinuar mbi 2.200 fëmijë”, theksoi  Dr.Qefajete Bajrami, mjeke në ISHP “Shtëpia e shëndetit” Kumanovë.
Mjekja, Qefajete Bajrami, për programin tonë, thotë se e vetmja mënyrë për parandalimin e përhapjes së “Pertusis” është vaksinimi, ajo gjithashtu spjegon edhe pasojat e mos vaksinimit dhe mos mjekimit adekuat të “Kollës së mirë”.

“Mënyra më efikase dhe më e mirë për parandalimin e sëmundjes është vaksinimi, por në rast se vaksinimi është i kompletuar, i cili fillon në muajin e dytë të lindjes doza e parë, doza e dytë në muajin e katërt dhe doza e tretë në muajin e gjashtë, më pastaj jipet revaksinimi në muajin e 18-të të lindjes dhe me qëllim krijimin e imunitetit më të fortë e të shëndetshëm do të jepet revaksinim në vitin e 7 të lindjes. Si pasojë e mos vaksinimit dhe mos mjekimit në mënyrën e duhur të sëmundjes mund të vijë deri në komplikimin e sëmundjes së mushkërive, trurit, mund të kemi gjakëderdhje nga hunda dhe veshët”, – u shpreh, Bajrami.

Si pasojë e numrit dhe fluksit shtuar për t’u vaksinuar, Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë po punon në dy turne edhe atë nga ora 7:00 e deri në ora 19:00.