Sindikata e Arsimit kërkon mësim online në fillim të gjysëmvjetorit të dytë
Mësimi me prezencë fizike do të rrezikojë shëndetin e nxënësve dhe arsimtarëve, vlerëson Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Kryetari i kësaj sindikate, Jakim Nedelkov është kundër vendimit të Qeverisë, ai kërkon që gjysmëvjetori i dytë shkollor, të nisë online, apo nga distanca, të paktën dy javët e para.
“Për këtë arsye kërkojmë që të rishqyrtohet vendimi dhe të paktën në dy javët e para të prolongohet gjysmevjetori i dytë me mësim me prezencë fizike dhe të vazhdohet me punë nga 1 shkurti me mësim online dhe të shohim më tej nëse bien numrat dhe të ndryshojë vendimi, përndryshe kështu shumë vështirë”, tha Jakim Nedelkov, SAShK.
Nedelkov për TV21 thotë se Qeveria duhet ta rishqyrtoj vendimin, ngaqë situata me Covid-19 nuk është e volitshme që nxënësit të kthehen në banka shkollore. Arsimtarët janë të vaksinuar ose e kanë kaluar virusin, por përvoja na ka treguar se mund të infektohen serish, shprehet kryetari i sindikatës.
“Numrat po flasin diçka tjetër, se pandemia nuk po ndalet, virusi po shpërndahet shpejtë, mbi 2.000 raste në nivel ditor, sipas statistikave, megjithatë dyshojmë se ka edhe më shumë raste të të infektuarve, të cilët nga arsye të ndryshme nuk hyjnë në këtë numër dhe për këtë arsye vlerësojmë se është shumë serioze nëse shkollat, në këto kushte dimërore, temperatura minus, të hapen dhe me të vërtetë frikësohemi për pasojat që mund të dalin nga ajo punë”, pohoi Jakim Nedelkov, SAShK.
SASHK kërkesën e ka dorëzuar në MASH dhe pret që të realizojë takim me ministrin e ri Jeton Shaqiri. Ky i fundit dje tha se me rëndësi është shëndeti i nxënësve dhe të punësuarve në arsim. Në lidhje me reagimin e sindikatës nga Ministria e Arsimit për TV21 thonë se vendimi ka dalë nga porpozimi i Komisionit për sëmundje ngjitëse, i cili është organ përgjegjës dhe se gjysmëvjetori i dytë do të fillojë me 1 shkurt edhe atë me prezencë fizike.
Përndryshe dje Qeveria solli vendim që nxnënësit nga e hëna të kthehen në mësim me prezencë fizike, pas pushimit dimëror, i cili u zgjat edhe për 10 ditë për shkak të situatës epidemiologjike. Prolongimin e pati propozuar Shtabi i krizës, ndërsa Komisioni për sëmundje ngjitëse pati vlerësuar se nxënësit duhet të kthehen në shkollë që nga 20 janari.