Kosovë

Si u futën grupi terrorist serb në Kosovë, pse pikërisht Banjska? Detaje ekskluzive nga raporti shtetëror

Grupi terrorist serb që mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë kishin shfrytëzuar pikën kufitare në “Izvor”, si rrugën më të shkurtër që lidh Novi Pazarin me fshatin Banjskë të Zveçanit. Ata u nisën nga Novi Pazari më 23 shtator, një ditë përpara sulmit, sipas fotografive që u gjetën nga Policia e Kosovës në telefonin prej njërit nga organizuesit e “grupit paramilitar”. Të gjitha këto detaje kallëzohen në një raport shtetëror preliminar të sulmit në Banjskë të 24 shtatorit, të përpiluar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Besnik Gashi

Raporti preliminar i 20 tetorit i MPJD-së, i siguruar nga Gazeta Insajderi, jep detaje ekskluzive për mënyrën se si grupi terrorist serb që realizoi sulmin në Banjskë u fut në territorin e Republikës së Kosovës.

“Paraushtarakët u larguan nga Novi Pazari i Serbisë pasditen e 23 shtatorit, largim ky i dokumentuar me fotografi (të bëra në orën 16:39) të gjetura në telefonin e njërit prej organizatorëve/drejtuesve të këtij grupi paramilitar”, thuhet në raport.

“Në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, grupi hyri në Kosovë duke përdorur rrugën ilegale pranë pikës kufitare të quajtur “Izvor”, rruga më e shkurtër që lidh Novi Pazarin në Serbi dhe fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, njofton më tej raporti.

Foto e realizuar më 23 shtator 2023 në ora 16:39 (Nga e djathta: Vladimir Radivojeviq dhe
Ugljesa Jarediq)

Sipas deklaratës që ka dhënë njëri nga të arrestuarit, rrugëtimi i tyre ishte bërë në grup dhe në mënyrë të organizuar. Tre deri në katër vetura lëviznin për në drejtim të fshatit Banjskë.

MPJD-ja thotë se arsyeja e përzgjedhjes së fshatit Banjskë si pikënisje e “një aksioni më të gjerë ushtarak” është bërë për shkak të vendndodhjes strategjike, pasi që ofron qasje të shpejt në Leposaviq dhe Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

“Kjo zonë aktualisht është nën ndikimin e strukturave ilegale dhe kriminale në të cilat Serbia ka investuar, sponsorizuar dhe vazhdon t’i kontrollojë përmes personelit dhe burimeve financiare të emëruara nga nga ta. Rëndësia e dukshme fetare e Manastirit Ortodoks të Banjskës, së bashku me një llogaritje të dukshme të viktimave civile, duhet të kishte shërbyer si kamuflazh i përsosur për të portretizuar rrejshëm veprimet e rregullta të zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës si sulm kundër Kishës Ortodokse Serbe, pikërisht në kohën kur pelegrinët nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndronin brenda dhe përreth Manastirit”, thuhet në raportin e ministrisë, të siguruar nga Insajderi.

Grupi i parë i paraushtarakëve raportohet të jetë vendosur fillimisht në bujtinën e Manastirit të Banjskës (ndërtesa në formë L, shih foton), dhe të tjerët u shpërndanë në fushat përreth manastirit. Dy grupe të tjera mbështetëse janë vendosur në dy kodra në fshatin Banjskë.

Raporti thotë më tej se paramilitarët e udhëhequr nga kryeterroristi Milan Radojiçiq kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit Banjskë me dy kamionë, kështu që qasja në këtë lokacion me rrugë të jetë bërë e pamundur.

1: Vendosja e bllokadës së rrugës në urë me kamionë; 2. fshehja paraushtarake me granatëhedhës “Zollë” dhe 3: automjetet e sulmuara të ekipeve të Policisë së Kosovës

“Pas marrjes së informacionit rreth orës 03:10 në vendin e ngjarjes kanë dalë dy njësi të Policisë së Kosovës. Grupi i parë i paraushtarakëve raportohet të jetë vendosur fillimisht në bujtinë e Manastirit të Banjskës (ndërtesa në formë L, shih foton më lart), ndërkaq të tjerët u shpërndanë në fushat përreth manastirit. Dy grupe të tjera mbështetëse janë vendosur në dy kodra në fshatin Banjskë. Me të arritur në lokacion, policia janë sulmuar nga paramilitarët të cilët ndodheshin afër barrikadave, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa një polic tjetër u plagos. Nga vëzhgimi i vendit të ngjarjes, konstatohet se paraushtarakët ishin të përgatitur mirë dhe ishin pozicionuar pranë kamionëve në barrikadë, ku ishte vendosur një mjet shpërthyes (minë kundër personelit të tipit MRUD), i cili aktivizohej me telekomandë kontrolli (bateri), që është gjetur në vendin e ngjarjes”, thuhet në raport. /Insajderi.org/