Analiza

Si raportuan mediat për formimin e qeverisë së re?

Si u raportua në mediat e vendit lidhur me formimin e qeverisë së re? A u vendos fokusi tek kryeministri i ri? A pati narrative etnocentrike në media lidhur me formimin e qeverisë? Sa iu kushtua hapësirë çështjes së legjitimitetit politik në bllokun politik shqiptar? A pati kritika ndaj qeverisë së re? Si ishte raportimi për qeverinë krahasuar me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi?

 

Shkruan: SEFER TAHIRI

Zgjedhja e Qeverisë së re, e drejtuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, u pasqyrua jashtëzakonisht shumë në mediat e vendit, në të cilat iu dha hapësirë e konsiderueshme, edhe atë jo vetëm debatit parlamentar, aktit të votimit, por edhe procesit të negociatave për formimin e saj, ndarjes së dikastereve, emrave që drejtojnë ministritë, emrave të zëvendësministrave e kështu me radhë.

Historikisht, mediat e vendit, qoftë në gjuhën shqipe ose maqedonase, por edhe në gjuhë tjera, pavarësisht formatit të tyre, i kushtojnë vëmendje të jashtëzakonshme formimit dhe zgjedhjes së qeverive të reja. Kjo për faktin që një pjesë e tyre, sidomos ato në nivel kombëtar, kanë lidhshmëri të ngushtë me politikën dhe, si pasojë, që në faqet e para të gazetave, në titujt kryesorë të lajmeve apo në ballinën e mediave onlajn, dominojnë përmbajtjet informative politike, në të cilat shpesh nuk ka lajm apo risi.

Faktori i dytë që ndikon në atë që qeveria, sidomos kur është e re, të vërshojë hapësirën mediatike të vendit është qasja senzacionaliste e disa gazetarëve, të cilët shpesh edhe fabrikojnë përmbajtje, vetëm për të siguruar klikime. Duke ditur faktin se lajmet politike në vendin tonë vazhdojnë të jenë të ndjekura si në televizione, po ashtu edhe në mediat onlajn, kjo qasje vazhdon të jetë e pranishme edhe sot, edhe pse në mediat profesionale ndërkombëtare zgjedhja e qeverisë është një lajm i zakonshëm i ditës.

Fokusi mediatik vihet tek kryeministri Mickoski

Në pjesën më të madhe të mediave në gjuhën maqedonase, fokusi i raportimeve mediatike u vu tek kryeministri Mickoski, që është rezultat i pozitës së tij kushtetuese dhe ligjore si i pari i qeverisë, por sidomos i pozitës së tij faktike – duke marrë parasysh që Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë shtet, në të cilin Kuvendi nuk arrin të kontrollojë qeverinë, por është e kundërta, ndërsa kryeministri ka pushtet gati se absolut.

Qasja e këtillë e mediave, qoftë atyre të afërta me proveniencën politike djathtiste, por edhe majtiste, dëshmohet nga më shumë tituj të botuar gjatë zgjedhjes së Qeverisë:

  • Zgjidhet qeveria e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski (TV Kanal 5, 23 qershor, 2024)
  • Zgjidhet qeveria e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski (portali Libertas, 23 qershor, 2024)
  • Zgjidhet qeveria e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski (Slloboden peçat, 23 qershor, 2024)
  • Zgjidhet qeveria e re, Hristijan Mickoski do ta drejtojë përbërjen e 20- të nga pavarësimi (Nova Makedonija, 23 qershor, 2024)
  • Hristijan Mickoski është kryeministri i ri, Maqedonia fitoi qeverinë e 20-të (portali Kurir, 23 qershor, 2024)
  • Mickoski, kryeministri i 13-të nga pavarësia, kabineti i ri me katër ministri të reja (portali Vo centar, 23 qershor, 2024)
  • Hristijan Mickoski është kryeministri i ri, Maqedonia fitoi qeverinë e 20-të (portali në gjuhën maqedonase i TV dygjuhësor 21, 23 qershor, 2024)
  • I njëjtë ka qenë titulli edhe në portalin në gjuhën shqipe të TV 21.
Për disa media qeveria është e Maqedonisë, për disa e Maqedonisë së Veriut

Pavarësisht faktit që kanë ndodhur ndryshimet kushtetuese dhe emri i ri i vendit është Maqedonia e Veriut, një pjesë e madhe e mediave vazhdojnë të përdorin emrin Maqedoni, gjegjësisht emrin e vjetër të shtetit, Republika e Maqedonisë:

  • Maqedonia fiton qeveri të re (portali A1on, 22 qershor)
  • Maqedonia fiton qeveri, Hristijan Mickoski është kryeministri i ri (portali Plusinfo, 23 qershor, 2024)
  • Maqedonia fitoi qeveri, kryeministër i së cilës është Hristijan Mickoski (portali Skopje 1, 23 qershor, 2024)

Në pjesën më të madhe të raportimeve mediatike, pavarësisht se me cilën provenience politike janë të afërta mediat, mungonte detaji se kryeministri i ri gjatë dhënies së betimit e shqiptoi emrin kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, edhe pse në numër më të vogël, kishte media, të cilat përdorën emrin kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Për shembull, portali Civilmedia, më 23 qershor 2024 botoi përmbajtjen me titull “Maqedonia e Veriut fitoi qeveri të re në krye me Hristijan Mickoskin”. Ky portal, duke raportuar për ngjarjen, theksoi se “Gjatë kohës së betimit solemn në shtëpinë ligjdhënëse, ai e shqiptoi emrin kushtetues të shtetit Maqedonia e Veriut”.

Edhe portali Fokus, edhe pse nuk përmend faktin e shqiptimit të emrit kushtetues nga kryeministri gjatë betimit në Kuvend, në titull përdor emrin e ri të shtetit: “Kuvendi zgjodhi Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut” (portali Fokus, 23 qershor, 2024).

Ndërsa, siç mund të evidentohet nga portali grumbullues i lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk, shumë media në gjuhën maqedonase kanë raportuar mbi qasjen e mediave greke, kurse titulli përmbledhës është “Mickoski tre herë vendin e tij e quajti “Maqedoni”, shkruajnë mediat greke”.

Pak kritika në adresë të qeverisë së re, Mickoski inkurajohet nga një portal

Në disa media maqedonase ka pasur qasje kritike ndaj përfaqësimit të dobët të grave në postet ministrore:

“Qeveria e re: Rritet numri i ministrive, ndërsa u zvogëlua numri i ministreve” (portali 360 dhe portali Puls24, 21 qershor, 2024).

Ndërsa portalet tjera, siç vërteton portali agregator i lajmeve Grid.mk, kryesisht raportuan me titullin “Në Qeverinë e re do të ketë 20 meshkuj dhe tri gra, mosha mesatare 47 vjet”.

Portali Plusinfo gjatë periudhës së zgjedhjes dhe pas zgjedhjes së qeverisë së re nuk e ka fshehur qasjen mbështetëse që ia jep kryeministrit të ri, Hristijan Mickoski dhe qeverisë së re.

Gazetari dhe pronari i portalit Plusinfo, Branko Geroski në kolumnën me titull “Mickoski vetëm guximshëm, konsekuent dhe ndershëm–rezultatet nuk do të mungojnë!” shkruan:

“E kaluara jonë historike na tregon se qeveritë vmroiste, në parim, çdoherë kanë qenë më të vlefshme dhe më efikase se sa socialdemokratet. Ndërsa nëse shanset e qeverisë së re të Mickoskit krahasohen me realizimet nga qeveritë e mëparshme të Dimitar Kovaçevskit dhe Zoran Zaevit, që tani e dimë se qeveria e re do të jetë pakrahasueshëm më e suksesshme. A do të jetë kjo e mjaftueshme? Jo, Maqedonia patjetër duhet të ngritet nga hiri si Feniks”.

Mediat në gjuhën shqipe kryesisht me qasje korrekte ndaj votimit të qeverisë së re

Përgjithësisht, mediat në gjuhën shqipe kanë raportuar në mënyrë objektive dhe korrekte lidhur me formimin e qeverisë së re dhe prioritetet e saj. Mirëpo, në disa media, përfshirë ato që janë të afërta me koalicionin “Fronti Evropian” të cilit i prin Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka pasur qasje kritike lidhur me mosrespektimin e legjitimitetit politik tek blloku politik shqiptar, i arritur në zgjedhjet parlamentare.

TV 21, në raportin që përmban interpretime gazetareske me titull “Qeveria e ardhshme, njëjtë si ajo e 2006-tës! Shqiptarët me më së paku ministri në 20 vitet e fundit”, e krahasoi qeverinë e re me atë të vitit 2006.

Koha kur shqiptarët kanë drejtuar me më së paku ministri, vetëm katër, siç pritet të kenë edhe tash në Qeverinë Mickoski, është viti 2006, në të ashtuquajturën “Qeveria e parë e Gruevskit” kur në koalicion me VMRO-DPMNE-në hyri PDSH-ja. Në 2006-tën, VMRO-DPMNE-ja kishte 40 deputetë, kurse PDSH-ja 11. Atëbotë, shqiptarët kishin zëvendëskryeministrin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe 4 ministri –  të Shëndetësisë, ministrinë e Arsimit, atë të Kulturës dhe ministrinë e Ekologjisë“, komentoi TV 21.

TV Klan Maqedoni rreth formimit të qeverisë raportoi me titullin “Formohet Qeveria e re/ Mickoski në ditën e parë si kryeministër premton zhvillim ekonomik të vendit!” dhe e citoi kryeministrin se “paralajmëroi qeveri reformuese dhe investime të menjëhershme”.

Portali Zhurnal raportoi me titullin “Liderët e partive shqiptare për herë të parë do kenë poste ministrore, risi e mirë, apo me mangësi?“.

Kjo do të jetë hera e parë që liderët e psrtive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të marin pjesë në kabinetin qeveritar, konkretisht me rastin e Taravarit si kryetar i ASH-së dhe Mexhitit si kryetar i Lëvizjes Demokratike, shkruan Zhurnal. Këtu në njëfarë mënyre mund të përfshihet edhe kryeparlamentari i ri, Afrim Gashi, sado që posti i tij nuk i takon pushtetit ekzekutiv. E njëjta gjë mund të thet edhe për Bilall Kasamin, sepse ai në vitin 2021 u bë kryetari i parë i një partie politike, pas Rufi Osmanit, që u zgjodh në post poashtu të rëndësishëm, siç është posti i kryetarit të Tetovës, të cilit iu rikthye edhe pasi u zgjodh deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur, sepse kryetarët e partive kanë preferuar të delegojnë “njerëz të sigurt” në pozita qeveritare dhe pozita tjera të rëndësishme, si ajo e kryetarit të Kuvendit, por asnjëherë nuk kanë pranuar vetë të “lagen” në ujërat qeveritare“, shkruan Zhurnal.

Pas formimit të qeverisë, mediat shqipe dhe maqedonase nuk rreshtin së raportuari për emërime dhe zgjedhje të kuadrove të reja qeveritare apo drejtues të institucioneve publike, të cilët zëvendësojnë ata të qeverisë së kaluar të Kovaçevskit. Shpeshherë, raportimi mbi emërimet dhe zgjedhjet e kuadrove është sipërfaqësor, ngaqë nuk jepen fare detaje mbi bekgraundin profesional të zyrtarëve shtetërorë dhe publik.

Zgjedhja e Gashit – për mediat maqedonase u zgjodh “spiker”, për  mediat shqipe kryeparlamentar

Zgjedhja e qeverisë nuk ka shpërfaqur aq shumë narrativet disonante mediatike me motive etnike, mirëpo një gjë e tillë ka ndodhur gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Siç evidenton portali grumbullues i lajmeve Grid.mk, një pjesë e madhe e mediave në gjuhën maqedonase kanë raportuar me tituj se Kuvendi fitoi “spikerin e ri” (portali Makfax, portali i TV Telma, portali i radios Dojçe Vele në gjuhën maqedonaseportali Skopje1, portali Veçerpres).

Nga ana tjetër, portalet në gjuhën shqipe kanë raportuar kryesisht me titullin “Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut“.

Një pjesë e mediave në gjuhën shqipe nuk kanë lënë anash pa e përmendur faktin që kryetari i ri i Kuvendit, dikur, në moshën e rinisë ka qenë këngëtar. Titulli i disa mediave ishte “Nga “Xhepat e zbrazët”, në krye të Kuvendit! Ja kush është Afrim Gashi“.

Përfundime

Raportimi mbi qeverinë e re dëshmoi për të satën herë se lajmi politik dominon hapësirën mediatike dhe se mediat nuk arrijnë që çështjet me interes publik t’i vendosin në plan të parë.

Është për t’u theksuar “raportimi personalizues”, përkatësisht fokusimi tek emrat e përveçëm e jo tek prioritetet programore, mirëpo pa dhënë fakte të mjaftueshme mbi kredibilitetin profesional dhe kompetent të zyrtarëve për postet që i fitojnë.

Aspekti i dytë është hapësira mediatike që iu dha negociatave për formimin e qeverisë, që u shoqërua me spekulime, shpesh edhe me fabrikime mediatike, të cilat janë në funksion të agjendave të caktuara të partive negociuese për formimin e qeverisë së re.

Raportimi ka qenë kryesisht objektiv dhe korrekt, si në mediat në gjuhën shqipe, po ashtu edhe në ato maqedonase, ndërsa kritikat ndaj qeverisë së re kanë qenë minimale. Në një pjesë të mediave shqipe u kushtua hapësirë e konsiderueshme lidhur me çështjen e legjitimitetit politik të partive shqiptare për kyçje në qeverinë e re.

Rekomandime

Mediat duhet t’i kushtojnë më pak hapësirë formimit të qeverisë, duke mos u marrë me spekulime, por edhe duke mos lejuar të jenë hapësirë për spinet e partive politike për të përforcuar pozicionet e tyre negociuese.

Në vend që lajmi politik të jetë në titujt kryesorë të mediave të ndryshme, duhet të bëhen përpjekje që këtë hapësirë ta zënë temat qytetare apo temat që kanë interes publik, të paktën paralelisht sa lajmi politik.

Gjithashtu, fokusi i mediave kur raportohet për qeverinë duhet të jetë tek analiza e përcaktimeve dhe synimeve programore, e jo tek emrat dhe përkatësia partiake e zyrtarëve qeveritarë.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut