May 6, 2024
Maqedoni

Si do të votojnë ata me dokumente të vjetra? Xhaferi thotë se qytetarët kanë kohë t’i nxjerrin deri në zgjedhje

Ky ishte reagimi i kryeministrit teknik, Talat Xhaferi, kur u pyet se pse qytetarët nuk po arrijnë t’i marrin dokumentet personale për të cilat janë fotografuar.
Edhe më tej mbetet e paqartë nëse qytetarët të cilët nuk kanë nxjerrë dokumentet me emrin e ri të shtetit, do të kenë mundësinë për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Kryeministri Xhaferi, nuk dëshiron të flet hipotetikisht se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen nëse një numër i madh i qytetarëve nuk arrijnë t’i nxjerrin dokumentet. Megjithatë, shprehet se ka mjaft kohë deri në zgjedhje që qytetarët të aplikojnë për dokumente dhe t’i marin ato.

“Çfarë nëse eventualisht vijmë në situatë një numër i caktuar i qytetarëve nuk i kanë, e kjo është temë për ta menduar. Duke patur parasysh se ka kohë, çdokush të inicojë, së pari të japim përparësi për të drejtën e qytetarëve, të inicojnë me kohë kërkesë të nevojshme për dokumente, e më pas është obligim i yni me vendim të përshtatshëm se çfarë dhe si do të veprojmë”, tha Xhaferi.

Si zgjidhje për këtë çështje, Komisioni Zgjedhor ka propozuar që në Kodin Zgjedhor të përfshihet edhe një rregullore e posaçme ku qytetarëve do t’u mundësohet të votojnë edhe me dokumentet me emrat e vjetër, e të cilat kanë afat kohor.

“Ne dhamë propozim si KSHZ, i njëjti tashmë është në Kuvend, që në Kodin zgjedhor të bëhet ndryshim ku do të ketë një dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje të vlejnë dokumentet e vjetra me qëllim që të gjithë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. A do të miratohet ose jo, varet nga Kuvendi”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Me qëllim që qytetarët sa më shpejtë të pajisen me dokumente, nga sot është hapur edhe një pikë tjetër për fotografim. Ajo ndodhet në qendrën për trajnim në Idrizovë. Përndryshe siç njoftoi kryeministri Xhaferi, nga MPB ka marë informacione se vetëm gjatë muajit shkurt, janë përpunuar gjithsej 123,983 pasaporta, 82,235 letërnjoftime dhe 46,280 patent shoferë.