April 29, 2024
Kosovë

Shumica e deputetëve e mbështesin Kosovën në Këshillin e Evropës

Bakoyannis: Shtetet kundërshtare të anëtarësimit të Kosovës do të duhej të qëndronin anash

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova është demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut. Në seancën e Asamblesë Parlamentare të KiE-së ku po diskutohet lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë, Bakoyannis ka theksuar se zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Evropiane do të kontribuonte në të drejtat e njeriut.

Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.

Bakoyannis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare.

“Në bazë të faktorëve të përmendur, mendim i imi është që Asambleja Parlamentare do të rekomandoj Komitetit të Ministrave që të ftoj Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Shpresoj që sot Asambleja do ta nënvizoj nevojën për ta sjellë në ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, dy milionë evropianë të tjerë për t’i mbrojtur ata nga shkeljet”.

Ajo ka ftuar shtetet që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës, të qëndrojnë anash dhe të mos e shohin këtë çështje si çështje të shtetësisë.

“Që nga publikimi i raportit, kam pranuar kritika të ashpra madje sulme personale në kuptimin e asaj sie kam trajtuar këtë. Këto kritika janë bërë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën, por do dëshiroja kurajon që të jenë të sinqertë sepse kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë se çfarë kushte t’i vendosen Kosovës. Kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë me kriteret e anëtarësimit, ata kundërshtojnë vetë idenë e shtetësisë së Kosovës. Do ishte më guximtare po të kishin vendosur të qëndronin anash. Raporti nuk paraqet raporte sa i përket shtetësisë”.

Kervan: Kosova ka bërë progres të shquar për anëtarësim në KiE

Përfaqësuesi i Kosovës, Enis Kervan, i ka bërë thirrje Asamblesë që të votojë në mbështetje të Kosovës.

“Kosova ka bërë progres të shquar për anëtarësim në KiE. I kemi zbatuar parimet e sundimit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut me zotimin për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Korniza jonë ligjore vë standard të lartë në përputhje me standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të pakicave”, ka thënë ai.

Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, ka thënë se pret që Kosova të përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësimin në KiE, ndërkohë që shprehu përkrahjen për anëtarësim.

“Ne po mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve dhe etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për mbi 1.6 milionë njerëz”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova meriton të pranohet në KiE.

E, deputeti grek, Alexis Tsipras, ka thënë se zbatimi i vendimit të Kushtetueses për pronën e Manastirit të Deçanit s’është e mjaftueshme, dhe se do të duhet të kishte progres edhe në çështjen e shpronësimit e Asociacionit.

“Kjo nuk mund të jetë e mjaftueshme për të mbështetur anëtarësimin. Që prej aplikimit të Kosovës kemi pasur eskalime shumë serioze, disa për shkak të Beogradit por edhe disa për shkak të vendimeve të Prishtinës. Na duhen vendime sa i përket ligjit për shpronësim dhe për Asociacionin”, ka thënë ai.

Mbështetje Kosovës i ka dhënë edhe Nerea Ahedo, deputete nga Spanja, e cila ka thënë se anëtarësimi “do të forconte të drejtat e njeriut”.

Po ashtu, Oleksii Goncharenko, nga Ukraina, duke shprehur mbështetje ka theksuar se Kosova e meriton anëtarësimin.

Deputeti gjerman, Frank Schwabe, ka bërë thirrje pro anëtarësimit. Alain Milon nga Franca tha se do të votojë pozitivisht.

Piero Fassino nga Italia ka theksuar se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova bëhet pjesë e Këshillit. Duke folur për Asociacionin, shprehu shqetësimin që ai të mos bëhet një “Republikë Serbe” si në Bosnjë.

Zsolt Nemeth nga Hungaria ka thënë se është kundër raportit që u prezantua sot dhe ka dhënë tri arsye për këtë. Ai ka theksuar se Kosova nuk i ka përmbushur zotimet, duke e renditur të parin mosthemelimin e Asociacionit.

“Janë tri arsye pse nuk e mbështesim raportin. E para, Kosova nuk ka përmbushur zotime, Asociacioni. E dyta është Serbia. Mohimi i interesave të Serbisë rrezikon stabilitetin”, ka thënë ai duke shtuar se arsyeja e tretë është se KiE shkon kundër qëllimeve të veta pro stabilitet nëse e pranon Kosovën.

Përfaqësuesja e Serbisë e quan Bakoyannisin hipokrite

Përfaqësuesja e Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Biljana Pantiq, e ka quajtur hipokrite raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

“Znj. Bakoyannis dua t’ju uroj për atë që po e bëni sot sepse do të shënoheni në histori si dikush që në mënyrën më brutale ka shkelur të gjitha normat e të drejtës ndërkombëtare. Keni thënë qartë që e ashtuquajtura Kosovë duhet të plotësojë tre kushte për të pasur opinion pozitiv. E para dhe kushti më fondamental ka qenë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tehemlimi i Asociacionit është parakusht themelor i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Nëse ftoni të ashtuquajturën Kosovë në Këshillin e Evropës pa themelimin e Asociacionit, ai nuk do të themelohet kurrë. Keni qenë ju që keni thënë: Themelimi i Asociacionit konsiderohet kusht i domosdoshëm për mbrojtjen efektive të pakicave kombëtare dhe të drejtave të tyre. Ju keni demonstruar se nuk keni integritet dhe jeni hipokrite”, ka theksuar ajo.

Pasi përfaqësuesja serbe ka folur duke e kritikuar Bakoyannisin, presidenti i Asamblesë, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se debatet duhet të bëhen në mënyrë civile dhe anëtarët të kenë kujdes në deklarata.

“Sipas rregullores dhe kodit të mirësjelljes, debatet duhet të bëhen në mënyrë civile dhe të rregullt. Anëtarët nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shkaktojë çrregullim të procedurave”.

E përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, Branislav Borenoviq, bëri thirrje të refuzohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Ai ka thënë se nuk mund të bëhet një propozim i tillë “pa pëlqimin e Serbisë”.

Ai ka thënë se mund t’i dërgojë mesazh “Katalonjës, Skocisë, Italisë Veriore, Tirolig Jugor, e shumë pjesëve të Ukrainës dhe Rerpublikës Serbe, që mund të shpallin njëanshëm pavarësinë e të pranohen në Këshill të Evropës”.

Në fund të diskutimit pritet edhe votimi i raportit.

Bilalli-Zendeli: Deklaratat kundër anëtarësimit të Kosovës kundërshtojnë qëllimin kryesor të KiE

Arta Bilalli-Zendeli, përfaqësuesja shqiptare e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se deklaratat kundër anëtarësimit të Kosovës kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës (KiE) që është parandalimi i luftërave.

Ajo i është përgjigjur disa anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të KiE të cilët thanë se anëtarësimi i Kosovës do të krijonte konflikte të reja.

“Si shqiptare e Maqedonisë, e ndiej këtë temë si shumë të rëndësishme. Nuk pajtohem me opinionet e tipit që ky anëtarësim do të krijonte konflikte të reja në Evropës. A është krijuar ky Këshill për të parandaluar luftërat në Evropë? Prandaj këto komente nuk tingëllojnë aq mirë, kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Ky anëtarësim do ta nxisë edhe dialogun sepse tani kemi dy palë të barabarta në dialog. Pra, barazia është vlerë themelore e KiE”, ka thënë Bilalli-Zendeli, e cila ka vlerësuar raportin pozitiv të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

“Ish-ministrja e Francës në vitin 1999 pati thënë se po të kishte çmim Nobel për liri do t’i jepej familjes Jashari nga Prekazi i Kosovës, 56 anëtarët e së cilës janë vrarë për një ditë të vetme. Çmimi nuk iu dha familjes Jashari, por duke përkrahur këtë raport, do t’i japim atdheut të tyre një vend në tryezën evropiane, në familjen e madhe evropiane aty ku e kanë vendin”, ka shtuar ajo.