Maqedoni

Shtrenjtohen edhe biletat e autobusëve ndër-urban deri në 20 për qind

Nëse e keni menduar që të kurseni për transport, autobusi më nuk është në rend të parë. Biletat e linjave ndër-urbane janë shtrenjtuar deri më 20% në të gjithë vendin.

Për shembull nga Kumanova në Shkup deri një ditë më parë bileta njëdrejtimëshe ishte 120, ndërsa prej sot u bë 150 denarë. Në stacionin e Autobusëve në Shkup udhëtarët u ankuan se po bëhet e papërballueshme rritja e çmimeve.

“Te na gjithçka u bë shtrenjtë, dëgjojmë ka hipur benzina, ajo-kjo, i mjerë ky popull për veti. Kjo është katastrofë për të gjithë, do durojmë deri ti harxhojmë kursimet e fundit e ta shohim kush do të merr ndonjë organizim sikur në Rumani”, thotë një qytetare.

“Për Koçan ishte 350 tani u bë 500 kthyese, do të thotë 150 denarë më shtrenjtë. Sa do të duroj populli këtë situatë? Deri në maksimum, e shihni që nuk ka as punë e asgjë tjetër”, shprehet një qytetar tjetër.

“Shumë të ulëta janë të ardhurat, unë jam pensioniste por e kam patjetër të udhëtoj, vajzën e kam atje”, shprehet një qytetare tjetër.

Nga drejtoria e Stacionit të Shkupit thonë se kanë qenë të detyruar t’i rrisin çmimet ose të bankrotojnë. Drejtori i kompanisë private që udhëheqë linjat ndër urbane të autobusëve thotë se rritja e çmimit të derivateve të naftës dhe e pjesëve të automjeteve i ka vënë para aktit të kryer.

“Derivatet në krahasim me 2021 deri më sot diku 38% janë shtrenjtuar, në muajt e fundit janë rritur edhe çmimet e auto-pjesëve 15-20% dhe këtu kur ti fusim vendimet e reja të qeverisë për të dielën ditë jo pune veprimtaria jonë punon të dielave që ka rrit pagesat tona. Kjo rritje enorme e të gjitha shpenzimeve, ku futet edhe energjia elektrike ku fatura jonë e janarit ka ardhur diku 600% më e lartë se e vitit të kaluar”, tha Masar Omeragiq, Drejtor i stacionit të Autobusëve.

Shteti, duke ndjekur trendin e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës në bursën botërore është e pafuqishme të frenoj këto kosto e aq më pak të bëjë ngrirjen e çmimeve sikurse bëri për ushqimet bazë.

Në këtë krizë ekonomike, të parët janë qytetarët ata të cilët po i ndiejnë në xhepin e tyre shpenzimet e rritura.