Maqedoni

Shtohet konkurenca për kryetar në BDI-në e Kumanovës

Dr. Ridvan Asani kandidat për Degën e BDI-së në Kumanovë

Kandidaturën për Degën e BDI-së në Kumanovë, sot e ka shpallur edhe ish-ushtari i UÇK-së, stomatologu i njohur kumanovarë, Dr.Ridvan Asani.

Asani përmes profilit të tij në Facebook ka njoftuar opinion se ditët në vijim do ta dorëzoj edhe formalisht kandidaturën e tij për kryetar në Degën e Kumanovës, tek komisioni zgjedhor partiak.

Ridvan Asani është nga fshati Çerkez i Kumanovës. Ka udhëhequr me sukses për vite me radhë me Fondin Shëndetësor në Kumanovë.
Ja postimi i tij i plotë:

Të dashur anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Kumanovë

Dy dekada më parë, në pranverën e vitit 2001 me vullnetin më të madh, pa asnjë dyshim, vendosa t’i bashkohem Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për të kontribuar me shumë bashkëluftëtarë për të drejtat e shqiptarëve në trojet tona.

Pas ngadhnjimit të UÇK-së ishte radha e betejës politike. Të gjithë bashkë, të udhëhequr nga komandanti i UÇK-së Ali Ahmeti, bashkërenduam aktivitetet me themelimin e subjektit tonë, në Bashkimin Demokratik për Integrim, subjekt vulën e të cilit e mbajnë të gjitha të arriturat për shqiptarët e Maqedonisë, e që u bë edhe gardian i interesave shqiptare në shtetin tonë.

Andaj, me vullnetin më të madh për të kontribuar edhe më shumë në rrugëtimin që e filluam në 2001-shin si UÇK dhe e vazhduam si BDI, kam vendosur të shpallë kandidimin tim për Kryetar të Degës së BDI-së në Kumanovë.

Jam i gatshëm plotësisht ta filloj këtë mision të ri, duke vlerësuar shumë kontributin e të gjithë themeluesve dhe anëtarëve, si dhe për të kontribuar drejtë ndërtimit të së ardhmes së përbashkët dhe të sigurtë.

Bashkë, me punë e përkushtim, ia kemi dalur me sukses çdo sfide dhe ashtu do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën edhe në të ardhmen.

Duke respektuar të gjitha afatet e caktuara, deri tek Komisioni Zgjedhor i Partisë do ta dorëzoj edhe formalisht kandidaturën time.

Ditët në vijim, do të prezantojë vizionin tim për funksionimin e degës së Kumanovës, e që prioritet do të jetë rinia.

Kumanova e Ali Ahmetit dhe bastioni i BDI-së meriton që ta bëjmë më të mirën për të.

Uroj të kemi një fushatë të dinjitetshme me respektin më të madh për çdo anëtarë.

I juaji,
RIDVAN ASANI