May 11, 2024
Maqedoni

Shtetasi i Maqedonisë kapet me kokainë në Shqipëri!

Plot 300 kilogramë lëndë e dyshuar kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit nga Task Forca e Portit. Policia e Shqipërisë njofton se droga është gjetur në kamionin e një shtetasi nga Maqedonia e Veriut.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Po ashtu raportohet se drejtuesi i kamioni, një 40-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

“Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut”, bën të ditur policia.

Ky është shoferi i kamionit nga RMV, ku u sekuestruan 300 kg kokainë në Durrës

Policia ka arrestuar shoferin e mjetit me shtetësi të Maqedonisë së Veriut Nazif Ajrofski i cili nuk ka pranuar të kishte dijeni për sasinë e drogës ndërkohë që ka thënë se transporton materiale ndërtimi.

Mësohet se kamioni me targa maqedonase dhe shoferi Nazif Ajrofski ndodheshin në Shqipëri prej 2 ditësh. Aksioni është ndërmarrë nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit. Mësohet se kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut po kalonte tranzit me destinacion Italinë.

Kamioni aktualisht është në sekuestro policore ndërkohë që autoritetet italiane kanë marrë njoftim nga homologët shqiptarë dhe kanë ushtruar kontrolle respektive në Napoli, i cili ishte destinacioni final./Alsat