Shqipëri

“Shtëpia e Lirisë”/ Berisha zyrtarizon koalicionin me LSI-në

Ish-kryeministri Sali Berisha të hënën konfirmoi koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit që pritet të mbahen në gjashtë bashki të vendit.

Ai tha se ky koalicion do të quhet “Shtëpia e Lirisë”. Sipas tij, po negociohet edhe më partitë e tjera, të cilat duan të jenë pjesë e kësaj “shtëpie”.
“Ne marrim pjesë ne zgjedhje sepse bojkoti nuk është opsion për ne, sigurisht që do ketë një marrëveshje me një koalicion në përputhje me ligjin dhe do paraqitet edhe logoja të cilin çdo shqiptar e ka të qartë se logon tonë të vërtetë e ka konfiskuar Rama, kjo nuk i pengon ata që ta shohin të shkruar në ballin e këtyre zotërinjve dhe të gjithë mbështetësve të kësaj partie. Do të regjistrohemi si koalicion me LSI-në. LSI është pjesë e këtij koalicioni dhe po shikohen modalitetet që ka ligji, sepse ligji ka ca modalitete absurde. Po diskutojmë edhe me parti aleate, po negociohen. Ka një përcaktueshmëri ligjore sa duhet të jenë. Po merret një grup me këtë çështje”, tha ish-kryeministri.
Nga konferenca, Berisha njoftoi se nëse kandidatët e Komisionit të Rithemelimit për këto zgjedhje nuk arrijnë të fitojnë, ky komision do të mbajë përgjegjësinë totale.
I pyetur nga gazetarët se “nëse ndjen keqardhje se kandidatët do të garojnë nën logon e LSI-së”, Berisha deklaroi se Shtëpia e Lirisë do të ketë logon e saj të koalicionit.
“Logoja do të jetë e re. Koalicioni do të quhet ‘Shtëpia e Lirisë’ dhe do të ketë logon e vet. Logoja nuk është me e partisë, por e koalicionit”, tha ai.

Komisioni i Rithemelimit ka përmbyllur procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve të lokaleve të 6 marsit, më 30 janar.
Rezultati i parë i dalë nga votimet, ka qenë ai i Vorës, ku 332 persona kanë votuar në tërësi.
Fitues ka dalë Lulzim Vrana, me 277 vota pro. Rivali i tij në garë, Luan Gani, ka marrë 55 vota.
Kryetari i Komisionit vendor të votimit dhe numërimit, Agron Marku, ishte ai i cili ka shpalosur edhe rezultatin e votimeve.
Në Dibër është shpallur fitues kandidati Premtim Kryemadhi, me 424 vota të marra prej 713 që ishin në total.
Dy kandidatët e tjerë, Behar Dema dhe Dafina Muda, kanë marrë respektivisht 158 dhe 121 vota. Dhjetë vota ndërkohë, kanë qenë të pavlefshme.
Durrësi ka parë fitues kandidatin Ardjan Muka, i cili ka marrë 1 mijë e 546 vota. Përballë tij ishte Silvja Gjepali, e cila nuk ka shkuar më shumë se 373 vota. Në këtë bashki, ka pasur 11 vota të pavlefshme.
Për Bashkinë e Rrogozhinës, personi më i votuar ka qenë Hekuran Xhani, me 211 vota. Kështu, ai do të jetë garues i Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet lokale të 6 marsit.
Kandidatët e tjerë kanë marrë numër më të ulët votash, ku më i afërti ka qenë Sokol Gosa, me 70 të tilla. Eqerem Deliu mori 23 vota, Vladimir Manushi shtatë dhe Hajrulla Tafa, tre të tilla.
Bashkia e Lushnjës do të ketë për kandidat nga lëvizja e Berishës Elton Banon, i cili mori 671 vota në primare.
Mes katër kandidatësh, Bano ka arritur të sigurojë më shumë se gjysmën e votave.
Arben Zaimi mori 240 të tilla, Erion Iljazi 49 dhe Indrit Qerimi, 92.
Bardh Spahia, do të kompletojë listën e Berishës, pasi ka rezultuar fitues në procesin e zhvilluar në Shkodër.
Kështu, gjashtë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit, do të kenë tashmë një muaj kohë, për të zhvilluar fushatën e tyre në rrethet përkatëse.

Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.
Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.
Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.
Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.
Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.
Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.
Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.
Top Channel