May 16, 2024
Lajmet e reja

SHTATË VITE PAS “BOMBAVE” TË ZAEVIT, VMRO-DPMNE PUBLIKON “BOMBËN” E PARË

Në përvjetorin e shtatë të publikimit të “bombës” së parë nga ana e LSDM-së, atëherë parti opozitare, opozitarja e tanishme VMRO-DPMNE fillon me publikimin e të ashtuquajturave “bomba” me çka pretendon se ish krerët e komunave nga rradhët e LSDM-së dhe ata të BDI-së kanë instaluar sistem të tenderëve kriminalë, me çka paratë e buxhetit kalojnë nëpër llogari të kompanive private.

VMRO-DPMNE-ja opozitare fillon publikimin e të ashtuquajturave “bomba” me të cilat, siç pretendojnë nga kjo parti, do të zbulojnë të gjitha skandalet dhe manipulimet e bëra nga partitë në pushtet LSDM dhe BDI. Në të ashtuquajturën “bombë” e parë, Mile Lefkov tha se nëpërmjet sistemit të ndërtuar për tenderë kriminalë, ish kreu i komunës së Butelit ka bërë dëmtim të buxhetit me shuma të mëdha parash.

MILE LEFKOV, VMRO-DPMNE

“Bëhet fjalë për tender për ndërtimin e ndriçimit të ri rrugorë në territorin e komunës së Butelit në vitin 2021. Kompania në pajtueshmëri me specifikimet teknike, ofron çmime ekstremisht të larta për njësi prodhimesh për prodhime që komuna I ka blerë në sasi të mëdha, dhe çmime ekstremisht të ulëta për prodhime që komuna sipas marrëveshjes I kërkon në sasi minimale ose nuk I kërkon aspak. Me fjalë të tjera prodhimi që blihet me sasi të madhe kushton flori, ndërsa pas atij produkti vijojnë 9 produkte të tjera që kushtojnë mezi 2 denarë. Ato 9 prodhime kanë për qëllim ta eliminojnë konkurencën. “

Të ashtuquajturat “bomba” janë të njohura për opinionin në Maqedoninë e Veriut, pasi 7 vite më parë, pikërisht më datën e sotme, lideri i opozitës së atëhershme Zoran Zaev, filloi me publikimin e bisedave telefonike, duke e zbardhur aferën e përgjimit masiv, gjë që shënoi edhe fundin e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me në krye Nikolla Gruevskin./KlanMacedonia/