Shqiptarja pedagoge në Universitetin e njohur të Francës, u refuzua në vendlindje
Pedagogia shqiptare, Lorenca Bejko, e cila punon si asistente profesoresh në një univeristet në Francë, ka treguar eksperiencën e saj të punësimit jashtë shtetit, përcjell albinfo.ch.
Ajo ishte e ftuar në emisionin Rin Talk në Euronews Albania, Bejko tha se pasi përfundoi studimet doktorale në Francë, vendosi të kthehej në Shqipëri, për shkak të lidhjes së ngushtë që kishte me familjen, por nuk mundi të punësohej në asnjë universitet brenda vendit. Ajo tha se aplikoi në të gjitha universitetet sipas kritereve, por nuk mori asnjë telefonatë.
Në këto kushte, Bejko theksoi se u detyrua të rikthehej sërish në Francë, ku tashmë punon si asistente profesoreshë dhe fiton 120 euro në orë.
“Të paktën për mua që jam asistent profesoreshë, pasi ky është pozicioni i parë që ti merr pas studimeve doktorale, në Francë ke një rrogë rreth 120 euro në orë, në krahësim me 5 mijë lekë apo 10 mijë lekë që paguhet një asisten profesor në Shqipëri. Është vlerësim kur merr 120 euro në orë, ama dhe konkurrenca është më e lartë”, tha ajo.
“Pas studimeve doktorale, jam shumë e lidhur me familjen dhe vendosa të kthehem në Shqipëri. Aplikova në Shqipëri në të gjitha universitetet në bazë të kritereve që ata kishin dhe nuk pata kurrë asnjë telefonatë kthyese. Pata vetëm një përgjigje nga një institut që ndodhej larg vendodhjes time dhe që nuk ishte i përshtatshëm për mua. U ktheva në shtetin ku u diplomova dhe fillova punën aty në fushën e gjeopolitikës”, shtoi ajo.