July 27, 2024
Maqedoni

Shqiptarët nga Shkupi me flamur kombëtar në Srebrenicë! (Foto)

Të shtunën (8 korrik), me flamur kombëtar (për të dëshmuar solidaritetin shqiptar), jemi nisur nga Nezuku (një vendbanim i vogël në verilindje të Bosnjës) dhe për 3 ditë rresht kemi udhëtuar nëpër pyje, male e fshatra, kemi fjetur nëpër tenda e jemi ushqyer me nderin e fshatarëve që na prisnin rrugës, kemi bërë gati 100 km të plota në Marshin e Paqes, për të arritur mbrëmë në Potoçari (varreza e gjenocidit në Srebrenicë), aty ky pushojnë viktimat e gjenocidit serb më 8-11 korrik 1995.
Vërtet një udhëtim i vështirë, por sigurisht jo aq i vështirë sa udhëtimi i atyre 15.000 civilëve, që më 8 korrik 1995 u nisëm nga Srebrenica, me shpresë për jetë, drejt Nezukut dhe atje nuk arritën as gjysma e tyre. Shenjat e varreve masive janë gjithkund, ndërsa heshtja morbide e kësaj zone, që flet më shumë me numrat e viktimave se me emrat e tyre të përveçëm, na bind për të satën herë se kriminelit i duhet vetëm pak shpërqendrim për ta shkaktuar krimin.
Sot, këtu në kompleksin memorial “Potoçari” po bëhet varrimi edhe i 31 viktimave që janë identifikuar ndërkohë, ndërsa edhe më shumë se 2000 të tjerë akoma janë pa një varr, mund të jenë të shpërndarë pjesë-pjesë nëpër varre masive ose thjesht janë zhdukur.
Për fat të keq, një krim që ndodhi atëbotë para syve të së a.q. “bashkësi ndërkombëtare”, edhe sot vazhdon të trajtohet me drojë nga kjo “bashkësi”, që mos t’i hidhërojë autorët e saj. Që, po të kenë rastin, krimin e përsërisin. Emrat e tyre nuk janë të panjohur, madje njëri nga ta “ka qëlluar” president i Serbisë (atëbotë ishte zëdhënës i Sheshelit).
Lavdi për dëshmorët (shehidët), Zoti e pastë mëshiruar shpirtin e tyre, ndërsa të gjithë ata që duan ta kuptojnë mirësinë që ua ka falë Zoti dhe që nuk e dinë vlerën e jetës dhe ligësinë e krimit, këtë mund ta kuptojnë më së miri në Srebrenicë. Ndërsa atyre që u duket larg Srebrenica, mjafton të shkojnë në Reçak, Krushë të Madhe, Prekaz e Bllacë.
Ky është fati i “tjetrit” në Ballkan.

(Zeqirja Ibrahimi, Sekretar i Pergjithshëm në AAA)