Kolumna

Shqiptarët kanë durim dhe mirëkuptim për mosmarrëveshjen me Bullgarinë, por deri kur?

Sefer Tahiri

Politika shqiptare dhe komuniteti shkencor kanë një qasje objektive dhe kuptojnë se çështjet në tryezë me Bullgarinë nuk janë aspak të lehta për t’u zgjidhur. Por, nga ana tjetër, mbase në mënyrë më pak transparente dhe pa mëdyshje, ata shprehin mendimin se nuk janë të gatshëm të presin edhe 30 vjet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje.

Bllokimi i Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë në BE pritej të shkaktonte kritika të ashpra nga i gjithë publiku shqiptar.

Një epilog i tillë pritej për faktin se bllokada e Maqedonisë ndikoi edhe bllokadën e Shqipërisë, e cila nuk ka çështje të hapura dhe të pambyllura me fqinjët e saj ose vendet e BE-së. Të dy vendet e Ballkanit janë tashmë në një paketë dhe nuk mund të pritet që fati evropian të varet nga secili vend veç e veç!

Në vitin 2019, pritej që Maqedonia të merrte datën, kurse Shqipëria do të duhej të ishte në dhomën e pritjes së BE-së, veçanërisht pas bllokimit nga ana e Holandës. Në vitin 2021, Shqipëria nuk dëshironte të përfshihej në një paketë me Maqedoninë, por paraprakisht dihej se do të ishte kështu.

Shqipëria me ndjeshmëri për Maqedoninë

Në vend të një gjuhe të ashpër, siç dëgjohet zakonisht në trojet e Ballkanit, Shqipëria jo vetëm që kishte një pozicion neutral, por gjithashtu shprehu një lloj ndjeshmërie për atë që po ndodh me Maqedoninë, e cila pavarësisht zgjidhjes së mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë mbetet jashtë shtëpisë së BE-së.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, madje justifikon zhgënjimin në Shkup, sepse pas Marrëveshjes së Prespës dhe zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, lajmërohet Bullgaria me një kërkesë të re. “Unë i thashë Zoranit, shpresoj se ata nuk do të të kërkojnë të quheni Bullgaria Perëndimore, sepse atëherë do të duhet të ktheheni përsëri te grekët për të negociuar Marrëveshjen e Prespës,” tha me shaka Rama.

Dështimin për mos-miratimin e vendimit mbi fillimin e bisedimeve me Maqedoninë, Kryeministri i Shqipërisë e quajti dështim të BE-së.

Mbështetje edhe nga elita e brendshme politike shqiptare

Një perspektivë e ngjashme mund të vërehet edhe te elita politike shqiptare e vendit. Në historinë bashkëkohore politike të vendit, të rralla kanë qenë periudhat kur politikanët shqiptarë në pushtet kishin pikëpamje të sinkronizuara me partnerin politik maqedonas. Vetëm në mosmarrëveshjen me Greqinë dhe tani me Bullgarinë, partitë shqiptare kanë një qëndrim konstruktiv. Krejt kjo, kryesisht për faktin se BDI-ja ka qenë në pushtet për 20 vjet dhe për çështjet strategjike në marrëdhëniet me fqinjët po mbron interesat e shtetitNga ana tjetër, partia BESA është një partner koalicioni i LSDM-së dhe marrëdhënia e saj është brenda linjave të vendosura nga ana e pushtetit. Mund të jetë pritur presion nga opozita shqiptare, por me shumë gjasë ishte e vetëdijshme se kjo ishte një nga çështjet “e nxehta”, e cila ka një kontekst historik dhe është shumë e rëndësishme për të ardhmen, prandaj ajo ishte e përmbajtur në komente, megjithëse kritikat ndaj pushtetit nuk munguan.

Фотографија со политичари од Македонија, Зоран Заев, Али Ахмети, Артан Груби

Burimi: meta.mk

BDI: Për identitetin nuk duhet të diskutohet

Ndoshta për shkak të pozitës që ai mban, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në publik del me qëndrime zyrtare (shtetërore) sa i përket mosmarrëveshjes me Sofjen. Duke shprehur pozicionin e qeverisë, ai gjithashtu pasqyron qëndrimin e partisë së tij BDI, sipas së cilës, identiteti i popullit maqedonas nuk duhet të diskutohet. “Qëndrimi ynë është se nuk do të lejojmë asnjë pikëpamje me të cilën BE-ja do të kontestojë karakteristikat e identitetit të popullit maqedonas,” thotë me vendosmëri Osmani.

“Mos u bëj të tjerëve atë që nuk dëshiron të të bëjnë ty”

Edhe opozita shqiptare e kupton gjithashtu pozicionin zyrtar të shtetit mbi mosmarrëveshjen me Greqinë, por nuk janë aq tolerante sa partitë në pushtet, BDI-ja dhe BESA.

Lideri i Aleancës së Shqiptarëve, Zijadin Sela në vitin 2016, në emisionin „200“ në televizionin Alsat kishte një qëndrim kontradiktor mbi identitetin e popullit maqedonas. “E gjithë bota e njeh realitetin historik të Maqedonisë dhe është shumë absurde, kur një komb që nuk ka identitet, i cili në këtë rast janë maqedonasit… Me regjistrimin nga 100 vjet më parë, nuk ekziston asnjë popull maqedonas. Ju harroni që keni qenë këtu nga shekulli i 7-të, ndërsa ilirët janë shumë më të hershëm”.

Por vetë Sela u tërhoq nga ky qëndrim, duke besuar se Bullgaria ka pretendime territoriale ndaj vendit tonë. “Tema që Bullgaria ka hapur kohët e fundit, duke mos njohur identitetin dhe gjuhën maqedonase, nga këndvështrimi im, ajo që nuk thuhet në këtë rast, është se Bullgaria ende ka pretendime territoriale ndaj Maqedonisë,” tha atëkohë Sela.

Partia tjetër e opozitës shqiptare, partia Alternativa, mosnjohjen e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë e lidh me qëndrimin e një pjese të elitës politike maqedonase ndaj gjuhës shqipe. “Mos u bëj të tjerëve atë që nuk dëshiron të të bëjnë ty”, u tha Gashi maqedonasve dhe përfaqësuesve të tyre politikë. Ai deklaroi se nuk ka asgjë kundër projekt-rezolutës së iniciuar nga partia VMRO-DPMNE, por konsideron se respekti identik duhet të reflektohet edhe ndaj një prej elementeve të identitetit të shqiptarëve në vend – gjuhës shqipe.

Shkenca parashikon një zgjidhje “të vështirë”

Edhe publiku shkencor shqiptar del i matur dhe pa populizëm në publik. Akademiku Abdulmenaf Bexheti deklaroi se problemi me Bullgarinë është problemi më i madh që ka vendi. “Pyetja është shumë më e ndjeshme kur prekni diçka që lidhet drejtpërdrejt me identitetin, dhe kjo ka të bëjë me fakte të reja nga 60-70 vjet më parë. Problemi me Greqinë ishte i një diference kohore prej 1.000 vjetësh, një periudhë kaq e gjatë sa nuk mund të mbështeteni te “rrënjët e pastra të identitetit”. Unë e kuptoj plotësisht, por ne nuk duhet të biem pre e provokimeve dhe të ndihmojmë agjendën, sikur atë të Karakaçanov. Me vetëdije apo pa vetëdije”, deklaroi Bexheti.

Në publikun shqiptar çështja e mosmarrëveshjes me Bullgarinë është aktuale, jo vetëm nga aspekti i integrimit evropian, por edhe nga aspekti historik. Drejtori i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, për Radion Evropa e Lirë tha se komisionet e krijuara shkencore janë një pengesë për arritjen e një marrëveshje, sepse ata vendosin vija të kuqe. “Mosmarrëveshja maqedono-bullgare duhet të zgjidhet sipas modelit të gjermanëve dhe francezëve, me krijimin e komisioneve për mirëkuptim. Maqedonia e Veriut duhet të ketë një zyrë në Sofje, kurse pala bullgare duhet të ketë një zyrë në Shkup. Këto zyra duhet të merren me zgjidhjen e çështjeve aktuale, e jo të trajtojnë aspekte historike,” tha Asani.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për veçantinë e gjuhës maqedonase dhe rishikimin historik të së kaluarës së dy popujve dhe personaliteteve të rëndësishme, mund të konkludohet se politika dhe publiku shkencor shqiptar kanë një qasje objektive.

Ata e kuptojnë se çështjet në tryezë me Bullgarinë nuk janë aspak të lehta për t’u zgjidhur. Por, nga ana tjetër, mbase në mënyrë më pak transparente dhe pa mëdyshje, ata shprehin mendimin se nuk janë të gatshëm të presin edhe 30 vjet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, si garanci për anëtarësim në BE, sa ka zgjatur mosmarrëveshja me Greqinë.

Gjegjësisht, elita politike shqiptare do të jetë e durueshme për një kohë, por jo në pafundësi, sepse presioni nga trupa votuese për anëtarësimin në BE do të jetë i madh. Diskursi politik publik, i cili është kryesisht neutral ndaj marrëdhënieve me Bullgarinë, mund të ndryshohet nëse ndërkohë konfirmohet se me asnjë çmim elita politike maqedonase nuk është e gatshme të zgjidhë mosmarrëveshjen me Bullgarinë! Kjo mund të çojë në trazira të reja të brendshme politike dhe ndëretnike (dhe midis vetë etnive), të motivuara nga (mos) zgjidhja e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.