Shqiptarët e stolisën Kuq e Zi qytetin amerikan Filadelfia (Foto)

Nga dr. Sadik Elshani
Fotot: Eva Dori, gazetare

Tashmë ka shtatë vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg – Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Filadelfia Verilindore) përgjatë Frankford Avenue, një rrugë e gjërë në këtë lagje, e përshtatshme për veprimtari të tilla. Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel, më 19 nentor, një ditë e ngrohtë e me diell, kohë mjaft e përshtatshme për marshim. Moti i mirë na siguroi edhe një pjesëmarrje masive me plot entuziazëm e paraqitje dinjitoze të komunitetit tonë. Numri i pjesëmarrësve të grupit tonë, nxënësve të shkollës shqipe, prindërve, anëtarëve të shoqatës e pjesëtarëve të komunitetit ishte i lakmueshëm. Ne gjithmonë e presim me padurim e me shumë entuziazëm pjesëmarrjen tonë në këtë Paradë. Siç duket po në të njejtën mënyrë e presin edhe banorët e kësaj zone: të dyja anët e rrugës nëpër të cilën zhvillohej Parada ishin mbushur me plot qytetarë të hareshëm, të cilët me fytyra të qeshura i përshëndesnin të gjithë pjesëmarrësit, vallëzonin nën ritmin e këngëve dhe valleve të grupeve, bandave muzikore pjesëmarrëse. Sidomos i pëlqejnë ritmet dhe dinamizmin e këngëve e valleve tona nga të gjitha trojet shqiptare. Tani siç duket ata janë familjarizuar mirë me paraqiotjet tona dhe e dinë çka të presin nga ne.
Parakalimin tonë gjithmonë e shoqërojnë këngët dhe vallet tona: këngët patriotike që këndohen për nder të 28 Nëntorit, si dhe këngët: “Xhamadani vija – vija”, “Mora fjalë”, “Kuq e zi”, etj. Grupit tonë i printë një makinë e kuqe si ngjyrat e flamurit tonë, e drejtuar nga Edi Papaj, ku ishte vendosur edhe qendra e zërit. Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, veshjet (kostumet) tona shumëngjyrëshe kombëtare nga të gjuitha trojet tona etnike, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombasit e shumtë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë. Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar dhe valvisnin flamujt kuqezi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit, përcjellësit e shumtë të kësaj parade i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me lëvizje trupore u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzonte nën ritmin e valleve tona popullore, mjaft dinamike e ritmike. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tone dhe misionin e saj. Paraqitja jonë edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët, për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare.
Për këtë organizim të mirë meritat i takojnë kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuseve tona të përkushtuara: Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi dhe Mimoza Sotiri, të cilat së bashku me prindërit ishin kujdesur që fëmijët të dukeshin sa më bukur në veshjet tona kombëtare. Këtu duhet vlerësuar edhe puna e gazetares, Eva Dori, e cila me plot profesionalizëm e përkushtim ka bërë shumë fotografi e inçizime gjatë tërë rrugëtimit të kësaj parade. Ditën e diel ne i zhvillojmë mësimet në shkollën tonë shqipe, por pjesëmarrja e nxënësve në këtë paradë ishte një mësim i mirë atdhedashurie, historie, krenarie kombëtare. Jo çdo gjë e vlerë mësohet vetëm nga librat, por edhe nga përvoja jetësore, shembulli i njerëzvë që punojnë, sakrifikojnë për të mirën e kombit e atdheut.

Philadelphia, më 19 nëntor, 2023
Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Foto: https://www.facebook.com/share/p/4pBVuE71N6rk8SAw/?mibextid=I6gGtw