Shqipëria zgjedh sot kryetarët e bashkive
Në Shqipëri mbahen sot (e diele) zgjedhjet lokale ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Nga ora 7:00 e mëngjesit hapen qendrat e votimit, dhe qytetarët janë ftuar të bëjnë zgjedhjen e tyre për 61 kryetarët e rinj të bashkive si edhe për përfaqësuesit e këshillave bashkiakë.
Në këto zgjedhje vendore, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 3.650.550 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës, ndërsa 122.545 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 61 bashki të vendit do të jenë të hapura 5.211 qendra votimi nga ora 07:00-20:00.
Në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike dhe rezultati në këto bashki pritet të dalë pak minuta pas përmbylljes së procesit zgjedhor, ndërsa thuajse në të gjitha qendrat e votimit do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve.
Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.