Shqipëria heq orën policore vetëm për natën e ndërrimit të viteve
Mbrëmjen e sotme në Shqipëri nuk do të ketë orë policore. Kjo vlen vetëm për natën e ndërrimit të viteve, një vendim që u njoftua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve pak ditë më parë. Qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm përgjatë gjithë natës së sotme.
Por ashtu siç edhe ekspertët theksuan, kjo vjen vetëm për lëvizjen e jo për bare e restorantet, që sipas masave në fuqi, mbyllen në orën 23:00.
Po ashtu, pas një vitit mungesë rikthehet koncerti i ndërrimit të viteve në sheshin “Skënderbej” i organizuar nga Bashkia e Tiranës. Eventi starton në orën 22:00 dhe në mesnatë do të ketë spektakël fishekzjarrësh. Elvana Gjata dhe Alban Skënderaj janë dy nga këngëtarët që do të performojnë mbrëmjen e 31 Dhjetorit.
Më datë 23 Dhjetor, Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi se niveli i masave që janë deri më tani është i përshtatshëm për të kontrolluar situatën epidemiologjike. Për këtë arsye ekspertët lanë në fuqi masat që kemi edhe sot për periudhën gjatë festave të fundvitit.
Ndërkohë duke nisur nga data 4 Janar punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare duhet të paraqesin dokumentin e certifikimit ose atë të shërimit.
*Masat në fuqi
• Ora policore vijon me orën 23:00-06:00, përveç natës së ndërrimit të viteve.
• Punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose certifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit, duke filluar nga data 4 janar 2022.
• Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme: Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi. Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi. Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
• Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
• Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.