Maqedoni

Shpërdorim i kabinetit për çështje partiake, Ahmeti takime në kolltukun e Grubit

Ministria e Sistemit Politik u shndërrua në degë e BDI-së së Shkupit. Në momentin kur kryetari i partisë Ali Ahmeti, vendos që mbledhjet t’i mbajë në Shkup, e jo në Reçicë të Vogël, atëherë si lokacion për takimet zgjidhet zyra e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi.

Kjo është një foto nga takimi i Artan Grubit me kreun e ri të Misionit të OSBE-së në vend, Kilian Val, më 7 dhjetor. Në të njëjtin ambient me monografinë e Pikasos, foton e Nënë Terezës, statujën e Skënderbeut dhe në të njëjtën karrige, pak ditë më vonë, Ahmeti, si kryetar partie, u takua me ambasadorin çek, Jaroslav Ludva. Për takimin ka informuar partia, e jo Ministria e Sistemit Politik.

Ky nuk është një përjashtim, por rregull. Profili i Ahmetit në facebook këtë vit është i mbushur me fotografi nga takimet në këtë zyrë – këtu ai u takua me ambasadorët David Geer, ish-shefen e diplomacisë bullgare Teodora Gençovska, madje edhe me këngëtarin, Ilir Shaqiri.

BDI nuk është përgjigjur në pyetjet se pse zyra në Ministrinë e Sistemit Politik përdoret për qëllime partiake. As Ministria nuk përgjigjet pse kjo zyrë i jepet një kryetar partie edhe pse është Institucion shtetëror.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e BDI-së, janë në qendër të skandaleve për keqpërdorim të resurseve shtetërore. Gishti iu drejtua Grubit vetëm dy muaj më parë kur ai u shfaq në një mbledhje partie me një automjet zyrtar të Ministrisë. Pastaj zëvendëskryeministrja Slavica Gërkovska, tha se do të kërkojë shpjegim nga Grubi dhe tha se parimi i ndarjes së funksioneve shtetërore dhe publike nga veprimtaritë partiake është një nga elementët kyç të qeverisjes së mirë. Por, rasti ka mbetur i pazbardhur edhe pse vitin e kaluar vetë ministrat në Qeveri kanë miratuar një kod, me të cilin kanë marrë përsipër që të mos përdorin veturat zyrtare për vizita private dhe partiake. /Alsat.mk