Sholc: Prishtina dhe Beograd të tejkalojnë konfliktet, t’i realizojnë marrëveshjet e arritura
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës ka treguar se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, Sholc bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Edhe krizat këtu në Ballkanin Perëndimor kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më fort së bashku dhe për të tejkaluar antoganizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet të cilat kanë vazhduar për shumë gjatë që ju kanë mbajtur dhe ju mbajnë juve në vend numri. Pra këto përshkallëzime në veri të Kosovës kanë treguar sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të udhëhequr nga BE”, deklaroi Olaf Sholc, kancelar gjerman.
Ndërkohë kryeministri i Holandës, Mark Rutte kërkoi uljen e tensioneve.
“Ne kërkojmë uljen e tensioneve. Unë fola gjerë e gjatë me presidentin Vuçiq një javë më parë në Grenada dhe sot kam rastin të flas me kryeministrin e Kosovës në mënyrë që të gjithë të ndihmojmë në uljen e tensioneve”, tha Mark Rute, kryeministër i Holandës.
Nga ana tjetër në takimin me kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman Mihael Roth në kuadër të Samitit të Berlinit në Tiranë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka theksuar se dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës, Kurti citohet të ketë thënë se kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Beogradit.