May 15, 2024
Maqedoni

Shkupi shpallet “Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2028”

Shpallja e Shkupit “kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028” paraqet një sukses të madh për vendin tonë, veçanërisht duke pasur parasysh aspiratat që i kemi si shtet që përpiqet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, tha për MIA-n ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska pas ceremonisë së sotme në Bruksel në të cilën kryeqyteti i Maqedonisë mori këtë titull prestigjioz në konkurencë me qytetin malazez të Budvës.

“Dua të falënderoj ekipin e Qytetit të Shkupit dhe kryetaren e qytetit që na dhanë mundësinë të punojmë së bashku dhe ta fitojmë këtë titull. Fillimisht, urime ekipit krijues dhe artistik që tregoi se Shkupi dhe vendi ynë kanë me çfarë të krenohen kur flasim për kulturën”, theksoi Kostadinovska-Stojçevska.

Vendimi është bërë i ditur nga Komisioni Evropian sot në një ceremoni në Shtëpinë e Historisë Evropiane në Bruksel, pas prezantimit të djeshëm të aplikacioneve të vendeve të përzgjedhura për këtë titull prestigjioz, ku fjalim ka mbajtur edhe ministrja Kostadinovska-Stojçevska.

“Shkupi është i gatshëm t’i përgjigjet sfidës. Në fakt Shkupi duket se është krijuar ndër shekuj për këtë sfidë. Nën flamurin evropian dhe të Maqedonisë do të ngremë energjinë krijuese që ajo të përhapet në të gjithë kontinentin. A ka vend më të mirë për këtë se Shkupi”?, theksoi Kostadinovska-Stojçevska.

Ajo thekson se të gjithë shkupjanët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht nga përcaktimi i tyre etnik, fetar, gjinor, social, kulturor dhe çdo përcaktim tjetër, janë të bashkuar në kënaqësinë që qyteti i tyre, Shkupi ynë, do t’i hapë portat e tij gjerësisht dhe me kulturën e tij do të përqafojë kulturën e Evropës.

“Nga qendra e Evropës, direkt në zemër të Ballkanit”, tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska.

Ajo theksoi se ekspertët nga Evropa e njohën përkushtimin e sinqertë të qytetit dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndaj ekipeve të ekspertëve, në procesin shumëvjeçar të përgatitjes së aplikacionit dhe përkushtimin e vendit tonë në kultivimin e vlerave evropiane, duke shtuar se ne e shohin këtë titull si një përfitim reciprok, përmes të cilit, me vlerat tona kulturore kombëtare, pasurojmë koloritin e hartës identitare të Evropës dhe krijojmë një hapësirë ​​të përbashkët kulturore në të cilën të gjithë janë të mirëpritur.

Ministrja shtoi se në këtë projekt kapital për çdo qytet dhe shtet të Evropës, investimet bëhen vite përpara dhe pas përfundimit të vitit të manifestimit, andaj Qyteti i Shkupit dhe Qeveria në këtë prezantim ekspozuan qëndrimet e përbashkëta për bashkimin e të gjitha kapacitetet infrastrukturore dhe të personelit, si dhe mjetet e nevojshme për të përmbushur kërkesat dhe standardet evropiane për prezantimin dhe afirmimin e suksesshëm të vlerave kulturore, sociale, ekonomike dhe turistike të vendit para botës.

Sipas Kostadinovska-Stojçevskës, kjo fitore e Maqedonisë është shembull i zbatueshmërisë së motos se kultura nuk njeh ndarje.

Ajo bëri thirrje për mobilizim kreativ në skenën e pavarur kulturore, autorë të rinj, njerëz novatorë nga industritë kreative, sektori joqeveritar, punonjësit e turizmit, artizanët, bizneset lokale.

“Kemi një potencial, i cili jam i bindur se nuk do të humbasë shansin për të treguar veten në formën e tij më të mirë. Ky është investimi ynë i përbashkët në një vit të paharrueshëm, vit në të cilin Shkupi do të jetë kryeqytet i denjë dhe mbresëlënës evropian i kulturës”, shtoi ministrja Kostadinovska-Stojçevska.

Në drejtim të përgatitjeve të suksesshme për vitin kur në Shkup do të kryqëzohen kultura evropiane me atë vendase, Kostadinovska-Stojçevska theksoi se të gjitha angazhimet dhe rezultatet që ne si shtet dhe kulturë i arrijmë përmes bashkëpunimit rajonal, iniciativave, programeve – nga Procesi për bashkëpunim i vendeve të Evropës Juglindore, përmes procesit të Berlinit deri tek nismat rajonale për Ballkanin Perëndimor, si dhe përvojës dhe mbështetjes shumëvjeçare të vlefshme përmes programit “Evropa krijuese” dhe pjesëmarrjes në “Shtigjet Kulturore të Evropës”.

“Ky është një shans për të treguar se pse ne përkasim këtu në Bashkimin Evropian”, theksoi Kostadinovska-Stojçevska.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila ishte edhe e pranishme në këtë ceremoni, theksoi se qyteti fitues i këtij titulli u paraqit nën sloganin “Kultura mbi ndarjen” dhe me prezantimin e tij fitoi zemrën e Evropës.

“Ekipi ynë punoi me përkushtim në programin që e prezantuam dhe patëm përkrahje vërtet të fuqishme nga Ministria e Kulturës dhe ministrja Bisera Kostadinovska-Stojçevska, morëm mbështetje nga Qeveria, nga Presidenti i Maqedonisë, por edhe nga një numër i madh i qyteteve tona dhe të huaja simotra, me të cilët kemi bashkëpunuar në mënyrë aktive në dy vitet e fundit dhe të cilët na kanë dhënë mbështetje dhe praktikisht na janë zotuar se kemi mundësi, forcë dhe aftësi për ta realizuar këtë program në vitin 2028”, tha për MIA-n kryetarja e qytetit të Shkupit Arsovska.

Ajo thekson se autoritetet e qytetit kanë punuar me përkushtim në promovimin kulturor, duke prezantuar programin në fusha të ndryshme, idetë dhe konceptet novatore që do ta vendosin Shkupin në hartën si kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028.

“Këto zgjedhje janë një njohje prestigjioze për të gjithë ne, Shkupi është pjesë e Evropës dhe në vitet në vijim deri në vitin 2028 Evropa do të bashkohet me Shkupin përmes prizmit të kulturës dhe artit. Vizioni ynë që fitoi sot përfshin rininë dhe industrinë kreative, lidhur me eko-praktikat si risi në të gjitha proceset dhe ngjarjet kulturore që do të zhvillohen 365 ditë në Shkup”, tha Arsovska.

Ajo thekson se programi do të nisë të zbatohet në janar të vitit 2024 dhe gjatë viteve në vijim artistë të bashkuar kombëtarë dhe evropianë do të marrin pjesë në qindra ngjarje kulturore që do të kulmojnë në vitin 2028.

“Të qenit kryeqytet Evropian i Kulturës është sfidë për çdo qytet sepse kultura gjithnjë e më shumë zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e qyteteve, si dhe është shtytës i zhvillimit urban, social dhe ekonomik”, shtoi kryetarja e qytetit të Shkupit Arsovska.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dita Starova Qerimi.

Qëllimi i kësaj nisme të BE-së është t’u mundësojë banorëve të Evropës të marrin pjesë në mënyrë aktive së bashku të këmbejnë përvoja për kulturën, të krijohen partneritete të reja dhe të theksohet roli të cilin e ka kultura në zhvillimin e qyteteve.