Maqedoni

Shkupi në mesin e qyteteve më të korruptuara dhe më të pista në Evropë

Hulumtimi i Komisionit Evropian i realizuar në 81 qytete evropiane e radhit Shkupin në fund të Evropës sipas parametrave qenësorë për jetesë. Shkupjanët janë më të zhgënjyer nga cilësia e jetës dhe korrupsioni, raporton DW.

Shkupjanët janë ndër më të pakënaqurit në Evropë me kushtet për jetesë në qytetin e tyre

Shkupi është në fund të listës sipas përqindjes së banorëve që janë të kënaqur me jetën në qytetin e tyre në Evropë. Pas tij, nga kryeqytetet evropiane janë vetëm Athina dhe Tirana, ndërsa afër, me rreth 75% banorë të kënaqur, janë Roma, Beogradi dhe Podgorica, tregon hulumtimi për vitin 2023 të cilin e realizoi Komisioni Evropian.

Vetëm 13% e banorëve të Shkupit mendojnë se cilësia e jetës në qytetin e tyre në 5 vitet e fundit është përmirësuar. Kjo është përqindja më e ulët në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore dhe e dyta më e ulëta në të gjithë Evropën, pas qytetit të Romës. Përkundër kësaj, mbi 57% kanë vlerësuar se jeta në qytetin e tyre vitet e fundit është përkeqësuar. Kjo është përqindja më e lartë në Evropë, pas kryeqytetit të Italisë.

Shkupjanët janë ndër më të pakënaqurit në Evropë nga transporti publik, shërbimet shëndetësore, terrenet e sportit, objektet dhe ofertën kulturore, hapësirat e gjelbra, shkollat ​​dhe institucionet arsimore… Në të gjitha këto fusha, normat janë larg mesatares evropiane.

Pak paradoksale, Beogradi dhe Shkupi janë qytetet me rritjen më të madhe të përqindjes së banorëve të kënaqur në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023: me jetën në Beograd në vitin 2023 të kënaqur janë 69% e të anketuarve, që është një rritje prej 6 përqind krahasuar me vitin 2019, ndërsa në Shkup të kënaqur janë 72%, që është një rritje prej 4 përqind.

Të ngulfatur nga ajri

Sa i përket kënaqësisë të banorëve të tij nga cilësia e ajrit Shkupin arrin një rekord bindës evropian – të pakënaqur janë mbi 87 përqind e banorëve të anketuar. Pas tij, në fund të listës ndodhet Beogradi dhe Bukureshti. Të ngjashme janë edhe shifrat për higjienën. Mbi 76% e banorëve janë të pakënaqur për sa i përket pastërtisë së Shkupit. Vlerësime më të ulëta në Evropë kanë vetëm Palermo dhe Roma e Italisë dhe Marseja e Francës.

Shkupi është rekorder edhe për një çështje tjetër: korrupsionin. Më shumë se tre të katërtat, ose më saktësisht 75.9% e të anketuarve, vlerësojnë se administrata e qytetit të tyre është e korruptuar. Pas Shkupit vjen Beogradi dhe Roma me norma pak më të ulëta. Në nivel të të gjithë Evropës, mesatarja e qytetarëve që mendojnë se administrata e qytetit të tyre është e korruptuar është rreth 42%.

Shkupi ka numrin mesatar më të ulët në Evropë të njerëzve që ecin, pak mbi 20 përqind, ndërsa në këtë drejtim atij i bëjnë shoqëri Ankaraja dhe Valeta. Sa për krahasim, më së shumti, mesatarisht rreth 35 përqind, nga kryeqytetet e Evropës ecin banorët e Stokholmit, Helsinkit dhe Londrës. Për dallim nga kjo rreth 65% të shkupjanëve përdorin makinën për çdo ditë. Nga kryeqytetet e Evropës vetëm Rejkjavíku ka një mesatare pak më të lartë – 68%, ndërsa mesatarja evropiane është rreth 44%.

Punë gjendjet lehtë, ka siguri dhe patundshmëri të lira?

Një lajm pak më i mirë nga Shkupi vjen për përgjigjet e pyetjes: A është e lehtë të gjesh punë në qytetin tënd? Pak më shumë se 35 përqind e shkupjanëve të anketuar mendojnë se është e lehtë të gjejnë punë në qytetin e tyre, që është rreth 10 përqind nën mesataren evropiane, por ende më e lartë se në shumë qytete të tjera. Në korniza të mesatares evropiane janë edhe përgjigjet në pyetjen: Sa i sigurt ndiheni kur lëvizni vetëm gjatë natës? Në Shkup të sigurt ndihen pothuajse 60%.

Është interesante se sipas hulumtimit Shkupjanët nuk e ndjejnë rritjen e çmimeve të patundshmërive në qytetin e tyre. Rreth 57% kanë thënë se në Shkup është e lehtë të gjendet një apartament me çmim të arsyeshëm, ndërsa 31% mendojnë se nuk është kështu. Pjesa tjetër nuk janë përgjigjur ose nuk kanë pasur njohuri. Sa për krahasim, në Evropë, mbi 70% e banorëve të qyteteve mendojnë se nuk është e lehtë të gjendet një shtëpi me një çmim të arsyeshëm, ndërsa vetëm 24% mendojnë se një gjë e tillë është e mundur.

Në hulumtimin e realizuar nga IPSOS në periudhën nga muaji janar deri në muajin prill të vitit 2023, janë përfshirë 848 të anketuar nga Shkupi, nga të gjitha grupmoshat dhe me një ndarje pothuajse identike sipas gjinisë.