Maqedoni

Shkup-Sofje, ndërmjetësimi nuk pranohet

Oferta e Brukselit, Vjenës apo Pragës për ta ndihmuar Komisionin e historianëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për tejkalimin e dallimeve has në vesh të shurdhër. Burime nga pala bullgare në Komision thonë për Alsat se në parim një ndihmë e tillë është e mirëseardhur, por se vetë komisioni është dypalësh dhe është organ i marrëveshjes dypalëshe. Ndërsa pala vendase nuk pranon të prononcohet.

Ndërkohë historianët nga Shkupi dhe Sofja, të cilët nuk janë pjesë e Komisionit të përbashkët, vlerësojnë se angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë nuk do të ishte i dobishëm. Sipas kreut të Shoqatës së arsimtarëve të historisë, Mlladedonovski ndërmjetësimi nuk mund të ndihmojë, sepse nuk ekziston një e vërtetë historike. Madje ai druan se ndërmjetësimi do ta zvarriste edhe më shumë tejkalimin e dallimeve dypalëshe, ashtu siç sipas tij, negociuam 30 vjet për emrin me Greqinë.

Nuk shoh çfarë mund të bënin më shumë shkencëtarët nga ajo që është bërë. Nëse bëhet fjalë për ndonjë ndihmë politike, ajo është çështje tjetër. Por nuk di çfarë kombinimi mund të bëhet mes shkencës dhe politikës, pasi janë çështje që e kundërshtojnë njëra tjetrën. Politika ka qëllime të caktuara dhe nuk bazohet në parime, për dallim nga shkenca që doemos të bazohet në fakte. Çështja e vetëdijes dhe historisë kombëtare maqedonase është temë e kryer”- deklaroi Mire Mlladenovski, Shoqata e arsimtarëve të historisë.
Historiani bullgar, Anton Pançev vlerëson se historianët nga rajoni, posaçërisht nga Shqipëria e Kosova, do të mund të ndihmonin, por shkaku i implikimeve politike të njëjtët nuk do të pranonin të përfshiheshin në çështjet e vendeve fqinje. Ndërsa historianët e rinj evropianë sipas Pançevit, punojnë me teori të reja, të çuditshme të cilat nuk mund të sjellin progres në debatin mes Shkupit e Sofjes.

Ne i kemi dokumentet. Secili historian duhet t’i lexojë dhe të jep mendimin e tij. Nuk ka nevojë për ekspertë ndërkombëtarë, por ka shumë historianë të zotë, mund të marrin pjesë, por nuk do ta tejkalojnë problemin, sepse e shohim se përfaqësuesit e Shkupit thjeshtë mohojnë faktet historike”- pohoi Anton Pançev, Historian nga Bullgaria.
Takimet e deritanishme të Komisionit të historisë kryesisht mbaronin pa rezultate konkrete. Disa herë është diskutuar çështja e teksteve shkollore të historisë, por mbeten ende dallimet e mëdha në qasjen e formulimit të rekomandimeve. Dallimet mbeten të skajshme edhe për figurën e Car Samoilit dhe atë të Goce Dellçevit. Takimi i radhës i pritet të mbahet më 10 dhe 11 qershor.