Shkrimtari i njohur në diasporë Skender Sherifi realizoi takim letrar me studentët e Fakultetit Filologjik të UT-së (Foto)
Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, Shoqata e shkrimtarëve “OENEUM” mbajti orë poetike dhe portet letrar kushtuar shkrimtarit nga diaspora Skender Sherifi. Është nder dhe kënaqësi e veçantë për Universitetin e Tetovës, që pati të pranishëm në auditorët e tij një figurë nderi të kulturës shqiptare, Skender Sherifin, njërin prej shkrimtarëve më të njohur bashkëkohorë, dhe gjithashtu një prej figurave më emblematike të letërsisë shqiptare. Emra si shkrimtari ynë i nderuar kanë spikatur edhe në arenën ndërkombëtare, duke e lartësuar emrin e kombit tonë përpara kombeve të qytetëruara.
Në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe Rektori Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili theksoi se, krijuesit, albanologët, përkthyesit, mbeten ambasadorët më të mirë të përfaqësimit të vlerave kulturore duke ndërtuar me punën dhe veprën e tyre ura komunikimi midis popujve, si pasuri e çmuar për njerëzimin, pavarësisht kufijve gjuhësorë, politikë dhe kufizimeve të tjera. “ Zhil Luj Rene Delez, filozofi i njohur francez, i cili që nga vitet 1950 e deri sa ndërroi jetë më 1995, që shkruante për filozofinë, letërsinë, filmin dhe artin figurativ, thoshte se “Letërsia shkon në një rrugë krejt të përkundërt dhe ekziston vetëm atëherë kur hap/shfaq pas personaliteteve konkrete, forcën e patrajtë – e cila është e përgjithshmja, dhe në një shkallë edhe më të madhe – shpërfaq individualitetin”. Mendoj se ky mendim i Delez shpreh më së miri emrin e përveçëm, përkatësisht portretin letrar të Skender Sherifit në panteonin e letrave shqipe. Përmes poetëve dhe shkrimtarëve tanë, panorama e letërsisë shqipe, përpos në hapësirat shqiptare, admirohet edhe më gjerë, aq më tepër që nevoja për përfaqësim në një botë që po rend dukshëm drejt globalizmit, intensifikohet dukshëm dhe na fton të vërejmë se vet letërsia dhe kultura fitojnë konotacione të reja, veçanërisht për vendet me konteste kulturore, sociale, politike, etj. Letërsia është pjesë e historisë së popullit, ajo është një ndërmarrje për të përjetësuar historinë e një kombi. Shtrirjen e letërsisë shqipe në botë dhe përkthimin e saj në gjuhë huaja, albanologu Robert Elsie ia dedikon shkrimtarëve të diasporës, që sipas tij kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e shkrimeve e të botimeve për të mbajtur ndezur flakën e qiririt të kulturës shqiptare në viset gjegjëse të globit”, nënvizoi fillimisht Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Në vijim të fjalimit të tij, Rektori theksoi se shoqëritë demokratike dhe institucionet e tyre, te shkrimtarët, apo inteligjencia e kohës në përgjithësi, si dhe te veprat e tyre, shohin të ardhmen e gjeneratave të reja dhe zhvillimin shoqëror. “Universiteti ynë është i hapur për bashkëpunim me institucione dhe personalitete të respektuara, që e kanë dëshmuar veten në fusha të caktuara. Vetëm duke bashkëpunuar, ne do të nderojmë, miqtë tanë, vlerat tona intelektuale, humane dhe shpirtërore të kohës që ne e jetojmë, por edhe të vazhdimësisë sonë në të ardhmen. Fjalën time dëshiroj ta mbyll me mendimin e çmuar të nobelistit amerikan Ezra Paund, i cili thoshte: “Në qoftë se letërsia pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet”, ndaj le t’i mbështesim krijuesit tanë në krijimtarinë e tyre për të sotmen dhe të ardhmen e kulturës sonë”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Profesori i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Salajdin Salihu e paraqiti biografinë e shkrimtarit të mirënjohur Skender Sherifi. “Zotëri Sherifi ka një jetëshkrim shumë atraktiv dhe një krijimtari mahnitëse e të thellë. Skender Sherifi si poet e kam njohur në librat “Lojë dhe Kundërlojë” dhe “Oksigjeni” që i botoi Rilindja e Prishtinës. Ishin libra me ndjeshmëri dhe diskurs poetik më ndryshe nga librat e tjera që botoheshin në Kosovë, Shqipëri, por edhe në hapësirën e Evropës Juglindore. Për autorin e dija se jetonte dhe krijonte në Belgjikë, se ishte autorë librash me poezi në frëngjisht dhe shqip, që ishin botuar në Bruksel e Paris, e më vonë u botuan në Prishtinë e Tiranë. Më vonë, unë mësova që ai ishte i lindur në Kosovë me origjinë nga Tropoja, se i ati i tij oficer i mbretit Zog ishte i burgosur politik nga regjimi komunist, se e ëma e tij ishte shqiptare nga Vuthaj në Mal të Zi. Familja e tij emigroi në Bruksel me statusin e refugjatit politik kur ai ishte 1 vjeçar. Se diplomoi në gjuhë dhe letërsi frënge, se punoi në radio dhe realizoi intervista me personalitete të njohura evropiane të filmit, teatrit, pikturës dhe muzikës; se, pas vitit 1992 punoi si profesor i marrëdhënieve me publikun në shkencat e komunikimit në Universitetin “International” në Bruksel dhe profesor i gjuhës frënge dhe i edukatës civile në shkollat e mesme të Belgjikës frankofone”, tha mes tjerash profesori i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Në këtë aktivitet, për veprën e shkrimtarit Skender Sherifi folën edhe Kryetari i Shoqatës “OENEUM”, Daim Ilazi dhe Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani. Ndërsa shkrimtari Skender Sherifi bashkëbisedoi me studentët e pranishëm, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre rreth jetës, veprimtarisë së tij krijuese dhe aktiviteteve të përgjithshme që i zhvillon në diasporë.