Shkollat shqipe në Amerikë fillojnë festimet për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës (Foto)
15 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës nëpër Shkollat Shqipe “Alba Life” në New York dhe Online
Nga Keze Kozeta Zylo
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë. A.Shkreli
Shkollat Shqipe “Alba Life” në të gjithë Nju Jorkun festuan me madhështi 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në javën e Kosovës
Nxënësit e këtyre shkollave performuan mjaft bukur dhe me një dashuri të madhe për Kosovën martire.
Ka qenë një javë që iu kushtua vetëm 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Nxënësit kishin përgatitur programe të ndryshme artistike me këngë, valle e recitime në të gjitha Shkollat Shqipe si në Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx dhe në Online. Vlen të theksohet puna e kualifikuar dhe organizimi nga të gjitha mësueset e përkushtuara që i janë bashkuar këtij Misioni Kombëtar, mësimit të Gjuhës Shqipe. Në cdo shkolle z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollave pas përshëndetjes shfaqi në ekran deklaratën e Pavarësisë së Kosovës lexuar nga Kryeministri Hashim Thaci dhe miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, 15 vjet më parë.
Në këtë ditë të shenjtë për Kombin tonë përshëndeti në Bronx, Ushtari i UÇK-së Agim Gashi. Ai është Ushtari i UÇK-së, invalid dhe kontribues në themelimin e Shtabit Lokal të UCK-së. Fjala e tij u mirëprit me duartrokitje dhe emocione. Natyrshëm ka ende shumë punë për të bërë për Kosovën martire, por nxënësit mësojnë mirë se c’është Kosova, genocidi serb, lufta për të fituar Pavarësinë dhe ruajtja e saj në përjetësi.
Duke dëgjuar Bijtë e UÇK-së, përshëndetjet e mësuesëve, interpretimet nga nxënësit, e pamundur të më hiqej nga mendja poezia “Lirikë për Lirinë shkruar nga poeti i shquar Azem Shkreli si:
Liria është ylberi im matanë grilave/ Liria është gërshet i vashës me fjongë/ Kur rritet, e veshim nuse/ Kur eçtohemi, i pijmë shëndet nga gjiri/ Ajo është pikë në ujë, zog në qiell/ Kur flet, e kuptojmë si nënën/ Kur dhemb, dhemb në zemër/ Liria thinjet bukur, nuk plaket/ Kur vdiset, është e pavdekshme/ Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të Atdheut/
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë.
Gëzuar 15 Vjetorin e Pavarësisë Kosova Jonë!