Maqedoni

Shkarkohet Mustafa Imeri, akuzon për revanshizëm

Shkarkohet shefi i katedrës në gjuhën shqipe pranë shkollës së mesme të Muzikës, Ilija Nikollovski Lluj, Mustafa Imeri, sipas të cilit shkak i shkarkimit ishte ajo se ai ka përkrahur mendimin ndryshe dhe ka publikuar një foto me kreun e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, shkruan Alsat.

“Unë jam Mustafa Imeri, profesor, tenor dhe 15 vite shef i Katedrës në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme të Muzikës “Ilija Nikollovski-Luj”, gjegjësisht që nga themelimi. Deri pardje. Sepse pushtetarët e plotfuqishëm vendosën ndryshe. Ata më shkarkuan ngaqë ditë më parë në rrjetet sociale publikisht përkraha mendimin ndryshe dhe u postua një fotografi me njërin nga udhëheqësit e Lidhjes Europiane për Ndryshim, Izet Mexhitin. Janë 15 vite punë e palodhshme, përkushtim maksimal, profesional dhe edukim i fëmijëve në fushën e artit”, deklaroi Mustafa Imeti duke shtuar se kjo është një goditje tejet e ulet dhe një ndër shkaqet që profesionistët largohen nga Maqedonia.

“E çfarë porosie është kjo për profesionistët në vendin tonë dhe a e kuptoni sa e ulët është kjo goditje dhe a e kuptoni përse çdo ditë artistët dhe profesionistët po ikin nga Maqedonia e Veriut. Ky fenomen i revanshizmit, frikësimit, shantazhit e shkarkimeve ndaj mendimit ndryshe, nuk ndodh vetëm në “Ilija Nikollovski-Luj”, por ky është një realitet në të gjitha institucionet e vendit dhe me kështu lloj presionesh për çdo ditë ballafaqohen edhe administratorët nëpër institucione, edhe biznesi shqiptarë edhe qytetari i zakonshëm”, tha Imeri, sipas të cilit kjo qeveri teknike e ka nisur mbrapsht këtë 100- ditësh.

“Por, unë ndjehem krenarë që në këtë betejë mes një grushti politikanësh në ikje dhe popullit që kërkon ndryshim, unë jam në anën e popullit. Të nderuar, Ju po shkarkoni, por populli po bashkohet, ju po revanshoheni por populli po çohet. E mira në këtë të keqe është që këtij zullumi i kanë mbetur vetëm edhe 90 ditë. Do të durojmë, 8 maji është dita jonë. E pas paravanit ne me votën tonë do ta shkarkojmë këtë pushtet”, deklaroi Mustafa Imeri. /Alsat.mk