May 6, 2024
Maqedoni

Shkarkohet drejtori i “26 Korriku”, të punësuarit dalin në protesta

Shkarkohet drejtori i Shkollës Fillore Komunale, “26 Korriku” në Shutkë, Driton Ganiu. Ky vendim ka nxjerrë në protestë dhe bojkot të punës arsimtarët dhe punonjësit e Shkollës. Ata thonë se nuk pajtohen me shkarkimi e drejtorit pasi ky veprim është pazar politik. Andaj nuk do të kthehen në punë derisa të kthehet edhe drejtori.

“Politika në shkollë nuk ka vend, për shkak se drejtorit duhet ti vlerësohet puna jo të bëhet politikë ditore me drejtorë, kujt ti kujtohet ta ndërron drejtorin, pa vullnetin e kolektivit sepse ky kolektiv numëron më shumë se 150 arsimtar dhe askush nuk e pyet kolektivin për vendosjen e drejtorit, për ndërrimin e drejtorit, për punën e drejtorit, për suksesin e tij, por politika ditore bën kujt si ti kujtohet dhe ne do të shkojmë me bojkot derisa të kthehet drejtori jonë Driton Ganiu”, tha Sadri Arifi, zëvendës drejtor SHFK “26 Korriku” – Shuto Orizare.

“Ndryshimet e këtilla bëhen çdo vit dhe shumë ndikon e na bën dëm në punë, pasi prishet vazhdimësia të cilin e kemi, posaçërisht në fund të vitit shkollor kur përgatiten edhe dëftesat edhe gjithçka, ndodhin ndryshime të këtilla. Ne faktikisht mbesim për momentin pa drejtor, mund ta imagjinoni të gjithë këta njerëz mbesin pa drejtor, është shumë e dëmshme për shkollën, ne nuk jemi minj laboratori që politika të kryqëzohet nën kurrizin tonë”, theksoi Vesna Niçevska, sekretare e SHFK “26 Korriku” – Shuto Orizare.

Mësimdhënësit kërkojnë nga Ministri i Arsimit që të mos lejojë shkatërrimin e kolektivit të shkollës.

“Ne si kolektiv, në shenjë përkrahjeje nga sot fillojmë me bojkot të kryerjes së detyrave tona duke mbetur në vendet tona, për të mos lënë që politika të hyjë në sferat e procesit arsimor dhe të prishet komuniteti i punës së suksesshme të kolektivit, nën udhëheqjen e drejtorit të deritanishëm”, u shpreh Zllatko Krstevski, SHFK “26 Korriku” – Shuto Orizare.

“Ju lusim ta merrni para sysh këtë kërkesë tonën dhe ta mbështesni z. Dritan Ganiu dhe të na mundësoni edhe më tej ta udhëheq kolektivin tonë”, theksoi Qamurane Rexha, SHFK “26 Korriku” – Shuto Orizare.

Kryetari i Komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush, nuk ishin të kapshëm për të komentuar shkarkimin e drejtorit. Kryetari Dudush, e kishte paralajmëruar shkarkimin e drejtorit Driton Ganiu, në rrjetet sociale, ku ka postuar edhe një fotografi me përfaqësues të ASH-së dhe BDI-në në këtë komunë, e ku shkruan se marrëveshja buron si rezultat i hyrjes së ASH-së në Qeveri. /Alsat.mk