Shefi i NATO-s: Ukraina ka nevojë për armë, jo për flamuj të bardhë
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh kundër komenteve të Papa Françeskut i cili tha se Ukraina duhet të ketë “guximin e flamurit të bardhë” derisa sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën për një fund të luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.
I pyetur në lidhje me këto komente, Stoltenberg i tha Reuters se “nëse duam një zgjidhje të qëndrueshme paqësore të negociuar, mënyra për të arritur atje është të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën”.
“Nuk është koha për të folur për dorëzim nga ukrainasit. Kjo do të ishte një tragjedi për ukrainasit. Do të ishte gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne”, tha Stoltenberg në një intervistë në selinë e NATO-s në Bruksel, pasi u pyet nëse reagimi i tij do të thoshte se tani nuk është koha për të folur për një flamur të bardhë.