SHBA përgjigjet në ankesën e Ruskovskës, reaguan Muaremi dhe Shoqata e prokurorëve
Ambasada e SHBA-ve është përgjigjur pas thirrjes së kryetares së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit- Vilma Ruskovska për rastin me drejtorin e Policisë Financiare i cili tha se do të ngrejë padi penale kundër Ruskosvkës. Nga kjo ambasadë thonë se kjo çështje është proces i vazhdueshëm dhe se duhet ta zgjidhin organet kompetente, transmeton Portalb.mk.
“Ambasada e SHBA-së investon në promovimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe mbështet përpjekjet e autoriteteve dhe gjyqësorit për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie ndërmjet institucioneve dhe brenda tyre”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Vilma Ruskovska, shefe e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PNKOK), mbrëmë u bëri thirrje institucioneve, si dhe ambasadave të huaja, delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe prokurores evropiane Laura Kovesi që të reagojnë pas, siç thotë ajo, presionit ndaj saj dhe prokurorisë nga drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi.
Një thirrje e tillë e Ruskovskës vjen pas konferencës së djeshme për media të mbajtur nga Muaremi, në të cilën njoftoi se do të ngre kallëzim penal kundër Ruskovskës dhe prokuroreve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, pas bastisjes në ambientet e Drejtorisë së tij.
Pas letrës së Ruskovskës, ka reaguar drejtori i Drejtorisë së policisë financiare, Arafat Muaremi i cili i ka bërë thirrje prokurores publike Villma Ruskovska, që nëse ka njohuri dhe informacione për kriminalitet, t’ia vërtetojë opinionit dhe të iniciojë aktakuzë ndaj tij, dhe jo siç thotë, njohuri dhe informacione boshe dhe të pabazuara duke diskredituar plotësisht funksionin që kryen. Muaremi madje thekson se mosndjekja e një krimi për shkak të presioneve paraqet vepër penale.
Nga ana tjetër në mënyrë të ashpër ndaj letrës së hapur të prokurores Vilma Ruskovska, ka reaguar edhe Shoqata e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Bastisja në Drejtorinë e Policisë Financiare është kryer më 18 korrik. Më pas nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, në krye me Ruskovska, vetëm shkurt konfirmuan se janë duke bërë bastisje dhe se bëhet fjalë për një rast të formuar pas kallëzimit të qytetarëve.
Nga ana tjetër, Drejtoria prej atëherë e cilësoi bastisjen si të panevojshëm dhe të paligjshëm dhe akuzoi se bëhej fjalë për sulme të qëllimshme dhe të pabaza ndaj tyre të ardhura nga e njëjta qendër. Për veprimet e hetuesve dhe prokurorëve parashtruan ankesë edhe te prokurori i shtetit, si dhe te gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, i cili në bazë të kërkesës së prokurorisë ka lëshuar urdhër për bastisje.
Pas ankesës, prokurorët kanë bërë mbikëqyrje, pas së cilës kabineti i prokurorit të shtetit Lubomir Joveski ka lëshuar një deklaratë në të cilën kanë përmendur mangësitë në procedurë.
Prokurorja, nga ana tjetër, e kontestoi raportin, duke thënë se prokurori i shtetit nuk ka të drejtë të ndërhyjë në trajtimin e rastit konkret, ndërsa nëse ka pasur bazë për lëshimin e urdhrit për bastisje vendos gjykata e jo prokurori.