ShBA-ja e mbështet gatishmërinë e Austrisë për ndërmjetësim midis Maqedonisë dhe Bullgarisë
Shtetet e Bashkuara u japin mbështetje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian t’i ndihmojnë Maqedonisë dhe Bullgarisë që më lehtë të arrijnë zgjidhje. Kështu u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në një deklaratë për “Zërin e Amerikës”, duke komentuar ofertën e Austrisë të ndërmjetësojë midis dy vendeve në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, transmeton Portalb.mk.
“Marrëveshja historike e Prespës ka treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të përmbushin detyra të vështira, të bëjnë kompromise dhe të gjejnë zgjidhje. Ne jemi të bindur se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do ta bëjnë të njëjtën përmes negociimit të mosmarrëveshjeve të tyre bilaterale jashtë procesit të pranimit në BE. ShBA-ja inkurajon të gjitha përpjekjet e BE-së dhe shteteve të saj anëtare për të ndihmuar palët në arritjen e këtij rezultati më lehtë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tërësisht në BE, kështu që iu jep mbështetje të plotë kandidaturave për anëtarësim në BE.
“Besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tërësisht në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në rajon”, tha zëdhënësi i Stejt Departamentit.
Ministrja austriake për Evropën dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler, gjatë vizitës së djeshme në Maqedoni, tha se Austria është e gatshme të ndërmjetësojë në negociatat midis vendit dhe Bullgarisë për të hequr veton bullgare.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje disa ditë më parë edhe zëdhënësja për zgjerim Anna Pisonero, deklaroi se Komisioni Evropian pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas saj, ky është pozicioni i qartë i KE-së, por Këshilli i BE-së është ai që duhet ta miratojë kornizën negociuese që e kemi paraqitur kohë më parë.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman Heiko Masse porositi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet që të ndahen në procesin e negociatave me BE-në.
Zëdhënësja e zgjerimit, në brifingun e djeshëm të rregullt për gazetarë, siç raportoi MIA nga Brukseli, duke iu përgjigjur pyetjeve, përsëriti qëndrimin e Komisionit Evropian.
Pisonero shtoi se pritet nga presidenca portugeze të thërrasë konferencat për të dy vendet sa më shpejt të jetë e mundur.
Komisioni Evropian konsideron se të dy vendet janë të gatshme të fillojnë negociatat me BE menjëherë pasi vendet anëtare të japin dritën jeshile për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Lidhur me të njëjtën çështje, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani tha se, megjithëse KE-ja 11 herë me radhë rekomandon fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe se, edhe përkundër faktit se procesi i zgjerimit bazohet në meritat individuale të secilit vend, përvoja tregon se kur shtetet lëvizin së bashku në proces, sinergjia që krijohet është më e madhe se shuma e lëvizjeve në mënyrë individuale të shteteve.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.
Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.