May 16, 2024
Maqedoni

Shaqiri: Në Shkup janë dorëzuar tekstet për klasën e gjashtë

Ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri deklaroi se në Shkup janë dorëzuar tekstet për klasën e gjashtë. Ai kërkon nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit që maksimumi në fund të muajit nëntor të dorëzojë në MASH programet për klasën e shtatë, në mënyrë që tekstet për vitin e ardhshëm shkollor të përgatiten dhe të shtypen në kohën e duhur. Sipas Konceptit për Arsimin fillor, i cili zbatohet në faza që nga viti 2020, reforma në vitin 2024/2025 do të përfshijë nxënësit e klasës së shtatë të cilët do të kenë tekste të reja shkollore, para së cilës do t’i paraprijë përgatitja e programeve mësimore nga BZHA. Shaqiri tha se për dallim nga programet mësimore për klasën e tretë, ato për klasën e gjashtë u vonuan nga BZHA dhe për këtë arsye procesi i krijimit të teksteve, shtypja dhe shpërndarja e tyre nëpër shkolla u zgjat.

JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT

“Kur programet mbërrijnë në kohë, edhe tekstet vijnë në kohë. Tekstet për klasën e tretë janë fakt për këtë. Theksuam që për klasën e gjashtën do të ishin në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, por për shkak të disa problemeve teknike nuk arritëm t’i dorëzojmë plotësisht në atë periudhë. Por më vjen mirë që dorëzimi ka mbaruar. Për tekste të caktuara për klasën e gjashtë është dashur të punohet shumë për redaktimin grafik dhe teknik. Për një tekst shkollor, për shembull, në fund të dorëzimit, autorët kërkuan që të bëhej një korrigjim për një pjesë të tekstit”.

Lidhur me tekstin e Historisë dhe Shoqërisë për klasën e pestë, i cili u tërhoq nga mësimi në maj për shkak të gabimeve në përmbajtje, ministri tha se është formuar një ekip i ri autorësh, por gjithashtu ka treguar se dorëshkrimi për Historinë për klasën e gjashtë është në fazën përfundimtare. Problemi për ta është mungesa e recensentëve.