Serbët provokojnë edhe te ambasada e Kosovës në Zagreb, reagon deputetja e vetme shqiptare në Kroaci
Provokimet serbe pas sulmit në Banjskë dhe kundërpërgjigjes së policisë speciale të Kosovës vazhdojnë dhe një i tillë është vërejtur edhe në Zagreb.
Në kryeqytetin kroat është vendosur një ngjitës (stiker) me flamurin e Serbisë mbi stemën e Kosovës tek ambasada kosovare në Kroaci, shkruan Lideri.mk.
Incidentin e ka dënuar ashpër deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj,
“Incidenti i sotëm në Zagreb është i papranueshëm dhe shkakton pakënaqësi të thellë. Pres dhe shpresoj që të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pjesëtarët e pakicës kombëtare serbe në Republikën e Kroacisë, të distancohen nga ky incident. Është e qartë se ky incident ka për qëllim krijimin e trazirave në të gjithë rajonin, duke përdorur provokime dhe përhapjen e panikut pas ngjarjeve të fundit në Republikën e Kosovës”, deklaroi deputetja Lekaj Perlaskaj për portalin nga Shkupi, Lideri.mk.
“Ky është një moment që kërkon dënim të përbashkët të veprimeve të tilla dhe unitet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
Komuniteti shqiptar është i indinjuar nga ky incident dhe i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë racionalitet, përmbajtje dhe solidaritet të përbashkët për të kapërcyer së bashku sfidat para nesh”, thotë në deklaratën e saj deputetja Ermina Lekaj Perlaskaj duke publikuar edhe fotografinë e Agjencisë shtetërore kroate të lajmeve HINA, e cila fotografi dëshmon për provokimin./Lideri.mk