Kosovë

Serbët në veri sot protestojnë kundër deklaratave të Kurtit dhe ambasadorit gjerman

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të Kosovës, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zvecanit.

Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj.

Pa dyshim, në këtë protestë nuk do të mungojnë as numër i madh i grupeve të cilat kanë hyrë më herët në Kosovë, e që vijnë nga Serbia, Bosnja, Rusia e vendet tjera, dhe të cilat shihen nëpër barrikada të armatosura dhe me maska.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare ditë më parë, pati thënë se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat.

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, duke folur rreth situatës më të re të krijuar në veri të Kosovës, tha se barrikadat duhet të hiqen deri për Krishtlindje, si dhe kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme.