Sport

Sela: Tre klube shqiptare do ta përfaqësojnë RMV-në në garat evropiane

Edicioni 2020/2021 i Ligës së parë të Maqedonisë së Veriut do të mbahet mend një kohë të gjatë nga dashamirët e futbollit në vendin tonë.
Xhiroja e fundit, e mbaruar sot, gjen në podium tre klube shqiptare të cilat do të përfaqësojnë vendin në garat evropiane sezonin e ardhshëm.
Podiumit natyrisht i prinë KF Shkëndija, që ishte shpallur kampion katër xhiro para përfundimit të sezonit, pasuar nga FC Shkupi dhe FC Struga Trim Lum.
Udhëheqësve, stafit dhe djelmoshave të Shkëndijës, në pamundësi për të qenë prezent në festën e tyre, u uroj edhe njëherë titullin e katërt të kampionit. Urimet e mia të ngrohta shkojnë gjithashtu për FC Shkupin që konfirmon statusin e saj si pretendent serioz për vendin e më të mirit dhe, natyrisht, për skuadrën e qytetit tim, FC Struga Trim Lum që ka arritur një sukses historik vetëm gjashtë vite pas themelimit.
Ky sukses i jashtëzakonshëm i futbollit shqiptar në vend, dëshmon se edhe përkundër mungesës së investimit shtetëror, puna sjell rezultate, madje edhe për vetë shtetin pasi që kjo punë e palodhshme e klubeve shqiptare, në masë të madhe sqaron edhe kualifikimin e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në kampionatin evropian të futbollit, për herë të parë në historinë e vendit.
Urime tifozëve dhe urime djelmoshave të tre klubeve shqiptare. Vazhdoni të na bëni krenar edhe në Evropë!