Sela: Sot përkujtojmë 2 Majin, festë e krenarisë kombëtare në kalendarin tonë historik
Sot përkujtojmë 2 Majin, festë e krenarisë kombëtare në kalendarin tonë historik.
Më 2 maj të vitit 2001, ushtarët e Brigadës 113 “Ismet Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e shpallën Zonë të Lirë Karadakun e Kumanovës. Edhe pse kanë kaluar 20 vite, ende i kemi të freskëta kujtimet për ushtarët e lirisë, të cilët ishin të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin kombëtar. Shumë prej tyre madje edhe u flijuan.
Andaj, sot i përkujtojmë me krenari por edhe me dhimbje të gjithë dëshmorët, invalidët dhe familjet e tyre, që ruajtën pragun e shtëpisë, rikthyen dinjitetin e nëpërkëmbur kombëtar dhe sollën një marrëveshje paqeje e cila do duhej të kishte transformuar këtë shtet.
Por aty ku djemtë e vajzat më të mira të kombit ia dolën me luftë, politika dështoi të përkthejë sakrificën e tyre në emancipim dhe zhvillim të gjithmbarshëm shoqëror. Kjo politikë dështoi sepse më shumë u kujdes për pasurimin e disa individëve në kurriz të popullit, sesa në jetësimin e amanetit të dëshmorëve dhe idealin e UÇK-së.
Andaj, është e pakuptimtë, 20 vite pas Luftës së UÇK-së, që politika ende të krenohet me sjelljen e Marrëveshjes së Ohrit (MO) në sy të komunitetit ndërkombëtar.
Është hipokrizi që MO të jetë dokumenti bazë në çdo raport progresi të BE-së, kryefjala e çdo programi qeveritar, dhe pjesë e preambulës së Kushtetutës së shtetit, ndërsa më meritorët për sjelljen e këtij dokumenti, i cili u fitua me gjak dhe sakrificë, bashkë me familjet e tyre, vazhdojnë të mos trajtohen në asnjë dokument apo ligj të shtetit, ndërsa ata që luftuan në anën tjetër gëzojnë privilegje.
Madje, njëjtë siç shteti ka braktisur familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, njëjtë janë lënë në harresë edhe Komuna e Likovës dhe Karadaku në të cilat thirret politika çdo 2 maj, por që në fakt vazhdon të jetë rajoni më i varfër dhe më i diskriminuar në vend, që kurrë nuk e ka ndjerë dorën e shtetit përveç brutalitetit policor e ushtarak, shtypjes e përndjekjes.
Lavdi dëshmorëve të kombit!