May 16, 2024
Maqedoni

Sela: Situata momentale më e rëndë se me Gruevskin, atëherë kishte shpresë, tani…

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sot për “Utrinski Brifing”, ka folur rreth dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev si dhe për kryeministrin në ardhje, Dimitar Kovaçevski.

Sa i përket Zaevit, ai thotë se nuk kanë besuar vërtetë në dorëheqjen e tij sepse siç thotë, atë e njohin për gënjeshtra dhe mos mbajtje të premtimeve.

“Gjithnjë zgjedhjet, pavarësisht nëse janë parlamentare apo lokale, shkaktojnë dorëheqje. Kryeministri paralajmëroi se do të dorëhiqet. disa herë Zaev ka dhënë premtime publike dhe nëse mbahet mend për diçka është për mos mbajtje të premtimeve, e kështu opozita nuk besonte se me të vërtetë do të dorëhiqet”, tha Sela.

Sela shton se ka patur mundësi ta shohë Dimitar Kovaçevskin në Kuvend kur është sjellur buxheti, e ka uruar për pozitën e re dhe shpreson se do të jep kontribut mbi demokracinë dhe daljen nga kriza.

“Tani ndodhemi në një situatë më të vështirë se sa në kohën e Gruevskit. Atëherë kishim shpresë për ndryshim. Tani kemi situatë më të vështirë në gjyqësi. Çdo ditë shohim se po qeveriset me logjikën e njejtë, vetëm emrat janë ndryshuar”, thotë Sela.

Sela shton se si shtet kandidat për hyrje në BE, duhet të kërkojmë ndihmë për gjyqësinë nga BE-ja, pa dallim se ende nuk jemi anëtare dhe nuk jemi dorëhequr nga një pjesë e sovranitetit. Ai konsideron se duhet nga jashtë dikush të vijë të gjykojë në konteste ku ka dyshime.