Maqedoni

Sela e Gashi: Maqedonia po i ofendon shqiptarët, Tirana po heshtë

Dy liderët opozitarë, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi sot kanë njoftuar, se janë bërë dy javë që kur u kanë dërguar letër ambasadorit të Shqipërisë në vend, Fatos Reka.

Në letrë të cilën e kanë publikuar koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë kërkuar “veprim nga shteti Shqiptar” në lidhje me “çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shtetit dhe popullit shqiptar”.

Meqë përgjigje ende nuk ka, nga koalicioni vlerësojnë se Tirana po heshtë karshi fyerjeve që Maqedonia e Veriut ua bënë shqiptarëve.

“Fatkeqësisht, edhe përkundër kësaj nisme por edhe obligimeve të dala nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, na duhet të konstatojmë se Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut. Andaj, marrë parasysh interesin publik të kërkesës sonë, sot po publikojmë letrën të cilën ia kemi dërguar më 19 shkurt Ambasadorit Reka, ku i kemi kërkuar që të ngrit këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare”, thuhet mes të tjerash në reagimin e ASH-AAA-së./TV21