Sanksionet shtesë nga Biden, Taravari: Qeveria aktuale i respekton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare! Të jenë më të vëmendshëm ata që kanë problem me SHBA-të
Kreu i ASH-së, pjesë e koalicionit qeverisës VLEN thotë se ekzekutivi aktual i respekton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, shkruan TV21. I pyetur për sanksionet shtesë që presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden vendosi për individë të caktuar në Ballkanin Perëndimor, Taravari tha se për këtë duhet të kenë kujdes, siç tha ai, personat që kanë problem me SHBA-të.
“Padyshim që po, unë mendoj që qeveria deri tash, këto 6-7 muaj ka dëshmuar që fuqimisht qëndron pas gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, posaçërisht aty ku kanë qenë të kyçura edhe SHBA-të, që i përkrahën dhe i përmbanë. Unë i përshëndes masat e fundit që i ka dhënë DASH dhe presidenti Biden, kështu që ne nuk kemi problem, ata që kanë problem duhet të jenë më të vëmendshëm”, tha mes tjerash Taravari.
Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar të mërkurën fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.Kjo vlen për ata të cilët u nënshtrohen masave ndëshkuese amerikane për sfidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që cenon sundimin e ligjin dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane.
Sanksionet zbatohen ndaj njerëzve që, në mënyrë direkte ose indirekte, kanë marrë pjesë ose kanë tentuar të marrin pjesë në shkeljen, pengimin ose rrezikimin e zbatimit të sigurisë rajonale, marrëveshjeve të paqes ose marrëveshjeve për njohjen reciproke në Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftim.
“Këtu përfshihen Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, Marrëveshja e Dejtonit, ose konkluzionet e Këshillit për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshilli për zbatimin e paqes ose Bordi i tij Drejtues ose Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, d.m.th., Mekanizmi Ndërkombëtar i mbetur për Gjykatat Penale”, thuhet tutje në njoftim./tv21.tv