May 11, 2024
Maqedoni

Sali: E mbajtëm premtimin, kërçovarët do të kenë spital të ri

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali njoftoi se ka qenë kërkesa e tij që Qeveria në mbledhjen e sotme për buxhetin e vitit 2023, i ndau edhe 60 milionë denarë shtesë për t’u zgjidhur problemi shumëvjeçar dhe për të përfunduar aktivitetet për ndërtimin e projektit për spitalin e ri në Kërçovë.

“Ne e përmbushëm premtimin tonë – siguruam mjete që kërçovarët të kenë një spital të ri”, ka shkruar Sali në Facebook.

Objekti i ri i spitalit të Kërçovës duhej të lëshohet në përdorim në vitin 2017, por deri tani ky premtim nuk është realizuar.

Procedurat kanë marë një dinamikë të re me ardhjen e ministrit Bekim Sali, gjë që ai e premtoi me rastin e vizitës së realizuar në Kërçovë.