Rusia i teston raketat e reja hipersonike “Zircon” nga luftanija e nëndetësja
Rusia i ka testuar duke i hedhur rreth dhjetë raketa të reja hipersonike të modelit “Zircon” nga një luftanije dhe dy të tjera nga një nëndetëse, raportoi agjencia Interfax të premten, duke e cituar Flotën Veriore.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka vlerësuar këtë lloj rakete si pjesë e një gjenerate të re të sistemeve të pakrahasueshme të armëve.
Një test të zhvilluar javën e kaluar ai e quajti “ngjarje të madhe në jetën e vendit”, duke shtuar se ky është “një hap thelbësor” në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Rusisë.
Disa ekspertë perëndimorë e kanë vënë në pikëpyetje atë se sa të avancuara janë armët e reja të Rusisë, ndonëse kanë pranuar se kombinimi i shpejtësisë, manovrueshmërisë dhe lartësisë së raketave hipersonike i bën ato të vështira për t’u përcjellë dhe për t’u penguar, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Putini kishte njoftuar për një varg të armëve të reja hipersonike në vitin 2018 në njërin nga fjalimet me retorikën më luftarake në disa vjet, duke thënë se ato armë mund të godasin pothuajse secilën pikë në botë dhe mund të shmangin një sistem të mbrojtjes anti-raketore të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara.